Xhezair Shaqiri i njohur si komandant Hoxha ka reaguar lidhur me protestat dhe kërkesat e studentëve shqiptarë për gjuhën shqipe, duke deklaruar se kërkesat e tyre janë legjitime, por duke shprehur rezerva ndaj pranisë së, siç i quan ai, “persona përgjegjës për dëmet dhe skandalet politike” ndër vite.
Në një reagim publik, Shaqiri shkruan se nuk dëshiron të përfshihet në turma ku, sipas tij, ndodhen individë që kanë pasur përgjegjësi për moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe për dëmtimin e proceseve politike në vend.
Ai thekson se problemet e pazgjidhura që nga viti 2004 kanë sjellë pasoja të shumta politike dhe institucionale, ndërsa shton se provokimet dhe incidentet, sipas tij, janë organizuar shpesh për interesa të caktuara politike.
Megjithatë, Shaqqiri nënvizon se mbështet kërkesat e studentëve shqiptarë, duke i cilësuar ato si të drejta dhe legjitime, ndërsa përgjegjësinë për situatën aktuale ua atribuon klasave politike të viteve të fundit.
Shaqiri gjithashtu shpreh shqetësim për përçarjet politike mes faktorëve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar se ato nuk burojnë nga interesa kombëtare, por nga interesa të ngushta politike dhe biznesore.