Adri Nurellari
Masa e sigurisë ndaj drejtueses së njërit prej institucioneve më të ndjeshme të sigurisë së shtetit duhet të na detyrojë ta shohim korrupsionin përtej faturës financiare dhe ta trajtojmë atë edhe si çështje të sigurisë kombëtare. Në debatin publik shqiptar, korrupsioni trajtohet rëndom si një defekt moral individual, njëfarë devijimi personaliteti që buron nga babëzia, apo si një lloj parazitizmi financiar që mund të izolohet me disa pranga spektakolare dhe disa komunikata për shtyp. Ky është një lexim tepër sipërfaqësor, sepse nuk merr parasysh dëmet e shumëfishta që shkakton korrupsioni kur bëhet kapilar dhe depërton në institucionet e shtetit. Në atë pikë, ai nuk vjedh më vetëm para nga buxheti, por gërryen aftësinë e shtetit për të kryer funksionet e tij, për të mbrojtur interesat kombëtare dhe, në fund, për të garantuar vetë sigurinë e vendit.
Në librin e saj “Hajdutët e shtetit”, studiuesja Sarah Chayes përpiqet ta zhvendosë diskutimin mbi korrupsionin nga fusha e moralit publik dhe e dëmit ekonomik drejt një pyetjeje shumë më shqetësuese, që lidhet me aftësinë e shtetit për të mbijetuar, për të ndjekur interesin kombëtar, për të ushtruar sovranitet dhe për t’i mbrojtur qytetarët e vet. Përvoja e saj në Afganistan i kishte treguar se një administratë e përpirë nga ryshfeti, klientelizmi dhe lidhjet me krimin mund të ruajë të gjitha shenjat e jashtme të normalitetit institucional, ndërkohë që funksionet e saj themelore janë ndryshuar gradualisht në shërbim të një rrjeti përfituesish të kriminalizuar. Në këtë shkallë depërtimi, korrupsioni pushon së qeni vetëm çështje e drejtësisë dhe bëhet çështje e sigurisë kombëtare.
Historia ndërkombëtare tregon se korrupsioni nuk mbetet gjatë vetëm te tenderët. Ai përfundon te kufiri, ushtria, policia dhe politika e jashtme. Në Ukrainën e vitit 2014, pas vitesh korrupsioni dhe keqadministrimi, vetëm 6 mijë nga 41 mijë trupa tokësore rezultuan realisht të gatshme për luftim. Kur Rusia pushtoi Krimenë, Ukraina zbuloi se kishte një ushtri në organigramë, por jo një ushtri të aftë për ta mbrojtur territorin. Në Afganistan, komandantët përvetësonin pagat e “ushtarëve fantazmë”, karburantin dhe furnizimet. Kur u tërhoq mbështetja amerikane, ushtria u shpërbë me shpejtësi, sepse korrupsioni ia kishte shkatërruar prej kohësh moralin dhe kohezionin. Ushtarët nuk pranuan të vdisnin për një shtet që drejtuesit e tij e kishin trajtuar si plaçkë. Mësimi i këtyre rasteve nuk është se Shqipëria ndodhet në të njëjtën gjendje me Afganistanin apo Ukrainën e vitit 2014. Mësimi është se korrupsioni e dobëson shtetin gradualisht dhe shpesh dëmi i vërtetë bëhet i dukshëm vetëm kur vjen një krizë dhe institucionet duhet të provojnë nëse janë ende të afta të kryejnë funksionin e tyre.
Prandaj hetimi dhe shkarkimi i kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) nuk është një aksident i izoluar procedure, as telenovelë hispanike romantike e një “spiuneje”, dhe aq më pak alibi për të ricikluar debatin provincial mbi origjinën e saj. Kjo goditje vjen pas një zinxhiri kapjesh sistematike të shtrirë horizontalisht dhe vertikalisht në institucionet e shtetit. Për pasojë problemi nuk fillon dhe nuk mbaron me SHISH-in. Shqipëria ka parë me këtë lidership një zëvendëskryeministër të arratisur; një zëvendëskryeministre të akuzuar për ndërhyrje në tenderë; ministra të Brendshëm të përfshirë në procese penale, drejtues policie të hetuar, zyrtarë policorë të dyshuar për lidhje të ngushta me krimin e organizuar; drejtues të infrastrukturës digjitale nën masa sigurie si dhe individë informalë, pa asnjë mandat kushtetues, që lëvizin fijet nevralgjike të pushtetit ekzekutiv.
Sigurisht, të gjithë personat nën hetim gëzojnë prezumimin e pafajësisë dhe përgjegjësitë individuale i përcakton gjykata. Por, edhe pa paragjykuar fajësinë e askujt, shtrirja institucionale e hetimeve ngre një pyetje që nuk mund të shmanget: çfarë ndodh me sigurinë kombëtare kur dyshimet për korrupsion dhe ndikim kriminal arrijnë njëkohësisht te policia, infrastruktura digjitale, ministritë strategjike, zëvendëskryeministria dhe shërbimi informativ? Secili rast duhet gjykuar veçmas, por politikisht dhe strategjikisht, tabloja duhet parë e gjitha së bashku. Kur njerëzit e zgjedhur, emëruar dhe mbrojtur nga i njëjti pushtet përfundojnë vazhdimisht nën hetim, përgjegjësia nuk mund të shkarkohet pafundësisht te “individët që kanë ngrënë kumbulla pas shpinës së kryeministrit”.
Francis Fukuyama, në analizat e tij mbi ndërtimin e shtetit, e lidh forcën e një shteti jo thjesht me përqendrimin e pushtetit politik, por me kapacitetin e institucioneve për të zbatuar vendimet dhe me autonominë e tyre nga interesat private që përpiqen t’i kapin. Ky dallim është thelbësor edhe për Shqipërinë. Një qeveri mund të duket e fuqishme sepse kontrollon administratën, parlamentin dhe pjesën më të madhe të vendimmarrjes, ndërkohë që vetë shteti mund të jetë duke u dobësuar. Nëse institucionet humbasin profesionalizmin dhe pavarësinë, nëse administrata i nënshtrohet klientelizmit dhe vendimmarrja publike orientohet nga interesa private, përqendrimi i pushtetit nuk prodhon domosdoshmërisht një shtet më të fortë. Përkundrazi, ai mund ta bëjë kapjen më të lehtë, sepse mjafton të kontrollosh majën e sistemit për të ndikuar një pjesë gjithnjë e më të madhe të tij. Kështu mund të krijohet paradoksi i një pushteti politik gjithnjë e më të fortë mbi një shtet gjithnjë e më të dobët.
Ky është rrezik i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare. Një polici e implikuar në mbrojtjen e trafikut të paligjshëm nuk garanton dot rendin publik, por kthehet në një menaxhere të paqes mes karteleve. Një dikaster infrastrukture i kapur nuk projekton vepra publike sipas nevojave gjeostrategjike dhe ekonomike të vendit, por ndërton rrugë që prodhojnë leverdinë më të madhe për ortakët e qeverisë. Një sistem drejtësie i depërtuar nga interesat politike apo kriminale nuk garanton më barazinë para ligjit, por selekton se kush duhet hetuar, kush duhet kursyer dhe cilat dosje duhet të mbeten pa fund në sirtar. Një administratë tatimore e kapur nuk mbledh më të ardhurat sipas ligjit, por mund ta përdorë kontrollin fiskal si instrument presioni ndaj kundërshtarëve dhe tolerancën si privilegj për të afërmit e pushtetit. Doganat nuk mbrojnë më kufirin ekonomik të shtetit, por rrezikojnë të shndërrohen në porta selektive ku ligji zbatohet ndaj disave dhe negociohet me të tjerët.
Dhe më dramatikja, një shërbim sekret që e gjen veten nën hetime penale nuk është më në gjendje të kryejë misionin e tij më sublim: të paralajmërojë kombin ndaj kërcënimeve të jashtme dhe të brendshme. Në kushtet e kapjes institucionale, ai rrezikon të degradojë jo vetëm në një instrument mbrojtës të status quo-së politike, por edhe në një mburojë institucionale ndaj krimit, duke përdorur sekretin shtetëror, informacionin e klasifikuar dhe avantazhin e tij informativ për të penguar ekspozimin, hetimin apo ndëshkimin e rrjeteve kriminale të lidhura me pushtetin.
Për më tepër, nëse mediat, opozita dhe shoqëria civile kanë arritur të zbulojnë e denoncojnë kaq shumë afera korruptive me mjetet e kufizuara që kanë në dispozicion, pyetja që duhet të na shqetësojë të gjithë për sigurinë kombëtare është se sa më shumë mund të dinë shërbimet e huaja armiqësore, të pajisura me kapacitete të specializuara përgjimi, infiltrimi dhe kundërzbulimi, dhe nëse informacioni komprometues që mund të zotërojnë u jep atyre mundësinë të ushtrojnë presion, shantazh apo ndikim mbi zyrtarë të lartë të shtetit.
Shqiptarët janë mësuar ta mendojnë çështjen kombëtare nëpërmjet kufijve, territoreve, flamurit, gjuhës dhe marrëdhënieve me fqinjët. Por çështja kombëtare nuk mund të ndahet kurrsesi nga cilësia e shtetit shqiptar. Shqipëria sot duhej të ishte qendra institucionale, diplomatike dhe strategjike e shqiptarëve në rajon: një shtet anëtar i NATO-s, kandidat për Bashkimin Europian dhe mbështetësi kryesor ndërkombëtar i Kosovës. Një Shqipëri e dobësuar nga korrupsioni nuk është vetëm problem për qytetarët e saj. Ajo dobëson pozitën e Kosovës, peshën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, mbrojtjen e interesave të Luginës së Preshevës dhe besueshmërinë e diasporës shqiptare.
Duhet kuptuar se fuqia kombëtarenë botën moderne nuk matet vetëm me numrin e shqiptarëve apo me sipërfaqen e territoreve ku ata jetojnë. Demografia dhe territori vazhdojnë të kenë rëndësi, por pesha reale e një kombi përcaktohet gjithnjë e më shumë nga cilësia e shteteve dhe institucioneve që ai ndërton, nga kapitali ekonomik dhe njerëzor që arrin të krijojë, nga besueshmëria që fiton tek aleatët dhe nga aftësia për ta shndërruar këtë besueshmëri në ndikim politik. Fuqi kombëtare është të kesh administrata që funksionojnë, drejtësi që prodhon siguri juridike, diplomaci që krijon dhe mirëmban aleanca, universitete që prodhojnë dije, ekonomi që gjeneron kapital dhe një diasporë që nuk mbetet thjesht burim remitancash e votash, por shndërrohet në rrjet ndikimi ekonomik, profesional dhe politik.
Ne nuk mund të konkurrojmë me fuqitë e mëdha përmes masës, por mund ta shumëfishojmë peshën tonë përmes cilësisë së institucioneve, specializimit ekonomik, reputacionit dhe aleancave. Një shtet i vogël, por i besueshëm, demokratik, ligjor, i parashikueshëm dhe i integruar mirë në rrjetet ndërkombëtare mund të ushtrojë ndikim shumë më të madh sesa do të sugjeronin popullsia apo territori i tij. Në të kundërt, një komb mund të ketë miliona njerëz të shpërndarë në disa shtete dhe një diasporë të fuqishme, por nëse institucionet e tij janë të dobëta, diplomacia improvizon, ekonomia prodhon pak vlerë dhe korrupsioni gërryen besueshmërinë e shtetit, një pjesë e madhe e këtij potenciali mbetet e pashndërruar në fuqi reale.
Rrjedhimisht korrupsioni prodhon edhe devijim të politikës së jashtme. Kjo bëhet edhe më e rëndë në një moment kur Shqipërisë i nevojitet maksimumi i kapitalit të saj diplomatik për të mbrojtur interesa kombëtare konkrete. Në një kohë kur Tirana do të duhej të mobilizonte marrëdhëniet e saj në Perëndim, të ndërtonte argumente juridike e politike dhe të mbështeste institucionalisht procesin e apelimit në Hagë, çdo humbje besueshmërie ndërkombëtare e shkaktuar nga korrupsioni zvogëlon hapësirën tonë për ndikim. Një shtet që konsumon kapitalin e vet diplomatik duke mbrojtur skandalet e panumërta e të paprecedenta të brendshme ka shumë më pak kapital për të mbrojtur interesat kombëtare jashtë.
Kur institucionet janë të dobëta, politika e jashtme pushon së qeni strategji shtetërore dhe bëhet diplomaci personale. Aleancat maten me fotografinë e radhës, samitet me spektaklin, ndërsa marrëdhëniet rajonale varen nga miqësitë, antipatitë dhe nevojat e ditës së një udhëheqësi. Kështu shpjegohen kthesat e pashpjeguara, entuziazmet e përkohshme dhe improvizimet: një ditë politika rajonale ndërtohet rreth Kosovës, ditën tjetër rreth partneritetit personal me Beogradin; një ditë flitet për interes kombëtar, ditën tjetër për një nismë të re të pakonsultuar si shkrimi i përbashkët me Vucciccin në FAZ; një ditë Shqipëria paraqitet si zëri i shqiptarëve, ditën tjetër hesht në OKB për Kosovën për të mos prishur një marrëdhënie personale ose një interes ekonomik.
Në një shtet të kapur, politika e jashtme nuk përdoret për të mbrojtur interesin kombëtar. Përdoret për të siguruar legjitimitet të jashtëm për pushtetin e brendshëm. Udhëheqësi kërkon fotografi, akses dhe mbështetje ndërkombëtare; partnerëve u ofron stabilitet, marrëveshje, territore për investime apo favore politike. Interesi afatgjatë kombëtar zëvendësohet nga nevoja afatshkurtër për mbijetesën e regjimit. Kjo është arsyeja pse korrupsioni nuk mund të kompensohet me retorikë patriotike. Mund të valëvitësh flamurin çdo ditë, por nëse dobëson policinë, administratën, diplomacinë dhe institucionet e sigurisë, ke dobësuar kombin. Mund të flasësh për bashkimin e shqiptarëve, por nëse shteti që duhet t’i përfaqësojë është i pabesueshëm dhe i kapur, ke minuar vetë bazën e bashkëpunimit kombëtar.
Prandaj reagimi duhet të shkojë përtej zëvendësimit të disa emrave. Shqipërisë i duhet kontroll real parlamentar mbi institucionet e sigurisë, verifikim serioz i drejtuesve, transparencë mbi emërimet, mbrojtje e prokurorëve dhe denoncuesve, hetim i ndërmjetësve informalë dhe çmontim i sistemit përmes të cilit njerëz pa mandat publik fitojnë pushtet mbi ministra, polici dhe administratë. Mbi të gjitha, Shqipërisë i duhet një doktrinë e interesit kombëtar që nuk ndryshon sipas interesit të qeverisë së ditës. Marrëdhëniet me Kosovën, shqiptarët në rajon, partneriteti me NATO-n, integrimi europian dhe raportet me fqinjët nuk mund të mbeten pronë personale e kryeministrit. Ato duhet të mbështeten mbi institucione, dokumente strategjike, konsultim parlamentar dhe vazhdimësi shtetërore.
Sepse çështja kombëtare fillon me çështjen e shtetit. Një komb me institucione të kapura nuk mund të zhvillojë politikë të jashtme të pavarur, nuk mund të mbrojë Kosovën, bashkëkombasit dhe aleatët e vet dhe nuk mund të kërkojë respekt ndërkombëtar. Rreziku më i madh kombëtar nuk është gjithmonë armiku që qëndron përtej kufirit. Shpesh është rrjeti që, nga brenda, e kthen policinë në shërbim, ministrinë në biznes, diplomacinë në improvizim dhe shtetin në pronë. Nuk mund të ketë çështje kombëtare pa shtet funksional. Dhe nuk mund të ketë shtet funksional aty ku pushteti publik është privatizuar.