Kongresisti amerikan Keith Self zhvilloi sot në Maqedonia e Veriut takime të ndara me përfaqësues të Lëvizjes Studentore shqiptare dhe liderë të opozitës shqiptare, ku u diskutua për zhvillimet politike në vend, pozitën e shqiptarëve dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Në takimin me përfaqësuesit e Lëvizjes Studentore shqiptare morën pjesë Mevlan Ademi, Besar Sejdiu dhe Jon Selimi, të cilët paraqitën shqetësimet e tyre lidhur me moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe tendencat që, sipas tyre, cenojnë të drejtat e fituara të shqiptarëve.

Përfaqësuesit studentorë theksuan rëndësinë e mbrojtjes së gjuhës shqipe, respektimit të barazisë kushtetuese dhe ruajtjes së frymës së bashkëjetesës e të përfaqësimit të garantuar me Marrëveshjen e Ohrit.

Më pas, kongresisti Self zhvilloi takim edhe me liderët e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku morën pjesë Ali Ahmeti dhe Zijadin Sela.

Gjatë diskutimeve u trajtuan zhvillimet aktuale politike, sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe rëndësia e respektimit të marrëveshjeve dhe standardeve që garantojnë barazi, përfaqësim dhe stabilitet ndëretnik.

Kongresisti amerikan Keith Self ritheksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit, respektimit të të drejtave demokratike dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit si garanci për bashkëjetesë dhe paqe afatgjatë në vend dhe rajon.

Vizita e kongresistit Self në rajon vjen pas qëndrimit në Luginën e Preshevës dhe takimeve me përfaqësues politikë e institucionalë shqiptarë, si dhe pas takimeve me krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume