Organizatori i protestës së studentëve në Shkup, Mevlan Ademi, ka deklaruar gjatë një fjalimi se kërkesa kryesore e protestës është mundësimi i dhënies së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.

Sipas tij, protesta nuk ka karakter kundërshtues ndaj askujt, por synon mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe garantimin e barazisë gjuhësore në institucionet shtetërore, raporton TS.

“Sot unë jam këtu me ju, dhe do të flas për të drejtat e shqiptarëve. Sot nuk kam ardhur të flas kundër askujt, por të flas me ju, sepse ju jeni populli.

Sot kërkohet vetëm një gjë: respekt për shqiptarët në vendin e tyre. Kjo nuk është privilegj, kjo është e drejtë.

Ne jemi këtu për dinjitet, për respekt dhe për barazi. Nuk ka pazar me të drejtat tona – kjo është standard, jo negociatë.

Si mund të mos ketë një student shqiptar të drejtë të japë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tij? Si mund të mos ketë respekt për një popull që jeton këtu me shekuj?

Ne jemi për barazi, për dinjitet dhe për të ardhmen tonë. Ne nuk do të ndalemi. Ne do të luftojmë për të drejtat tona”, është shprehur Ademi.

Protesta e studentëve po zhvillohet në qendër të Shkup, me kërkesën që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me të drejtat kushtetuese dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve./TS

 

 

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume