Analisti politik Sefer Selimi vlerëson se debati për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk lidhet me kapacitetin apo vullnetin e partive shqiptare, por me një problem më të thellë ideologjik që, sipas tij, buron nga koncepti i shtetit i promovuar nga VMRO-DPMNE.

Në një reagim publik, Selimi thekson se partitë shqiptare, qofshin në pushtet apo opozitë, veprojnë brenda rrethanave të kufizuara politike, ndërsa thelbi i çështjes qëndron në një doktrinë që e sheh shtetin si ekskluzivisht maqedonas.

“Problemi i vërtetë i dygjuhësisë buron nga paradigma ‘Maqedonia e maqedonasve’, e cila vazhdon të dominojë në një pjesë të konsiderueshme të spektrit politik maqedonas”, thekson Selimi.

Reagimi i plotë i Sefer Selimit:

Problemi i gjuhës shqipe nuk qëndron tek partitë shqiptare. BDI dje, VLEN sot, bëjnë aq sa munden brenda rrethanave politike. Problemi i vërtetë i dygjuhësisë në këtë shtet buron nga doktrina ideologjike dhe politike e VMRO-DPMNE, e ndërtuar mbi paradigmën “Maqedonia e maqedonasve” e të cilën e besojnë edhe një pjesë shumë e madhe e maqedonasve.

Kjo doktrinë e sheh shtetin si ekskluzivisht maqedonas, ndërsa të tjerët si aksidentalë në këto troje dhe që duhet të mbahen të kufizuar politikisht, institucionalisht dhe simbolikisht aq sa për të mos u parë e as dëgjuar plotësisht ekzistenca e tyre.

Pikërisht këtu godet gjuha shqipe si gjuhë zyrtare. Ajo e rrënon iluzionin e ekskluzivitetit mbi shtetin dhe e sfidon konceptin e shtetit njëetnik sepse njohja reale e shqipes nuk është vetëm çështje komunikimi administrativ; është pranim i faktit se shqiptarët janë popull shtetformues dhe pjesë e barabartë e këtij shteti.

Prandaj rezistenca ndaj gjuhës shqipe ka qenë, është dhe do të mbetet e madhe. Jo për shkak të një provimi, procedure apo interpretimi juridik, por sepse në thelb kjo është përplasje mes dy koncepteve të shtetit: një shtet për të gjithë qytetarët e tij, apo një shtet që vazhdon të mbahet peng nga ideja e “pronësisë etnike” mbi të.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume