Deputeti Halil Snopçe ka reaguar ashpër nga foltorja e Kuvendit ndaj ministrit Besar Durmishi, duke e akuzuar për vendimmarrje mbi baza të paqarta dhe për neglizhencë ndaj çështjeve kyçe që prekin shqiptarët në vend informon Tetovasot.

Snopçe theksoi se i ka parashtruar pyetje të drejtpërdrejta ministrit lidhur me deklaratat për kinse ofendime nga ministri Igli Hasani (Hoxha), duke kërkuar sqarime nëse informacionet janë verifikuar apo janë bazuar në burime të pasigurta. Ai nënvizoi se lajmi ishte përgënjeshtruar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, por pavarësisht kësaj, Durmishi kishte kërkuar falje publike nga pala shqiptare.

“Është e papranueshme që një ministër të dalë me qëndrime të bazuara në informata të paverifikuara nga WhatsApp-i dhe të mos i besojë versionit zyrtar,” deklaroi Snopçe, duke e cilësuar këtë si amaterizëm dhe mungesë të përgjegjësisë politike.

Ai paralajmëroi se reagime të tilla dëmtojnë marrëdhëniet me Shqipërinë, duke përmendur edhe sulmet ndaj ambasadorit shqiptar Denion Meidani. Sipas tij, këto janë pjesë e një fushate të orkestruar nga elitat politike maqedonase që nuk dëshirojnë raporte të mira me Shqipërinë, ndërsa Durmishi, siç tha, “po u shërben këtyre interesave”.

Snopçe ngriti edhe një sërë pyetjesh ekonomike dhe politike, duke kërkuar llogari pse asnjë kompani shqiptare nuk përfitoi nga fondi prej 250 milionë eurosh, pse ka rënie drastike të investimeve të huaja, si dhe për rritjen e çmimeve dhe përkeqësimin e standardit jetësor.

Në fund, ai kritikoi edhe vonesat në procesin eurointegrues, pozitën e gjuhës shqipe në institucione dhe mungesën e mbështetjes për studentët shqiptarë, duke paralajmëruar se pakënaqësia qytetare po rritet.

“Vendosni gishtin në kokë, sepse këto ‘pse’ do të marrin përgjigje nga vetë qytetarët,” përfundoi Snopçe.Tetovasot

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume