Janevska: Trashëguam kataklizëm, ndërsa sot arsimi dhe shkenca po përparojnë me ritëm të përshpejtuar
“Dy vite më parë u përballëm me kataklizëm. E ndalëm rënien e mëtejshme dhe, me punë të
përgjegjshme dhe të përkushtuar, tani po e rrisim cilësinë e arsimit dhe po e gjallërojmë
shkencën”, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, në
konferencën e sotme për shtyp në Qeveri, ku prezantoi raportin për punën dyvjeçare të
Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Janevska theksoi se gjatë dy viteve të fundit janë realizuar reforma të shumta të orientuara
drejt përmirësimit të kushteve dhe mundësive për nxënësit, studentët, mësimdhënësit dhe
komunitetin shkencor.
Ndër arritjet më të rëndësishme, veçoi mbështetjen sistematike të siguruar për nxënësit e
talentuar dhe mbulimin e plotë të shpenzimeve për udhëtim dhe kotizim, për pjesëmarrje në
olimpiada ndërkombëtare, rritjen e numrit dhe llojeve të bursave, avancimin e arsimit
profesional dhe dual, ku janë përfshirë 1.000 kompani dhe janë themeluar shtatë qendra
rajonale shkollore, vendosjen e sistemit të qëndrueshëm për furnizimin dhe shpërndarjen në
kohë të teksteve shkollore, rritjen e pagave të kuadrit arsimor dhe mbështetjen financiare për
realizimin e projekteve shkencore-kërkimore me interes kombëtar.
“Për të tretin vit radhazi, të gjithë nxënësit do t’i marrin tekstet shkollore më 1 shtator,
përfshirë edhe tekstet shkollore të gjuhëve të huaja, të cilat për vite me radhë kanë munguar”,
tha ministrja, duke shtuar se ende janë të freskëta kujtimet kur fëmijët, para disa vitesh, ia
dilnin duke kopjuar skripta, për të cilat ishin paralajmëruar se do të pasonin ndëshkime për ta
dhe për prindërit e tyre.
Ministrja informoi se është rritur ndjeshëm mbështetja për nxënësit me nevoja të veçanta
arsimore përmes angazhimit të 1.350 asistentëve arsimorë në arsimin fillor dhe për herë të
parë 150 asistentëve në arsimin e mesëm. Në mënyrë shtesë, është mundësuar arsimim në
format hibrid për nxënësit të cilët për një periudhë më të gjatë janë në trajtim spitalor ose në
shtëpi, ndërsa është përforcuar edhe mbështetja për arsimin e komuniteteve më të vogla në
vend.
Në pjesën e standardit studentor, Janevska theksoi se janë pranuar disa kërkesa të studentëve,
ndër të cilat zgjerimi i përfshirjes së racionit të subvencionuar të studentëve, në mënyrë që ta

shfrytëzojnë edhe studentët e studimeve deridiplomike dhe studentët e punësuar, lehtësimi i
kushteve për përfitimin e bursave dhe krijimi i kategorive të reja të bursave për studentët me
sëmundje të rralla dhe me nevoja të veçanta arsimore.
“Ligji i ri për arsimin e lartë, të cilin e propozojmë, parasheh që studentët më të mirë të çdo
gjenerate, përfituesit e unazës inxhinierike dhe të mirënjohjeve të tjera shtetërore, të kenë
përparësi gjatë punësimit në institucionet publike të arsimit të lartë dhe në institucionet
shkencore”, shtoi ministrja.
Në infrastrukturën arsimore janë investuar rreth 70 milionë euro për më shumë se 90
projekte. Janevska veçoi ndërtimin e dhjetra objekteve të reja shkollore dhe katër sallave
sportive, rikonstruksionin e konvikteve studentore, zhbllokimin e ndërtimit të objektit të ri
për FSHIIK-në dhe fillimin e procedurës për ndërtimin e objektit për Fakultetin e Kulturës
Fizike, Sportit dhe Shëndetit.
Ministrja theksoi se në 160 shkolla është instaluar pajisje e re IT dhe është siguruar qasje e
sigurt në internet, ndërsa mbi 1.000 mësimdhënës janë trajnuar për zbatimin e inteligjencës
artificiale në mësimdhënie.
Ndër proceset më të rëndësishme aktuale i veçoi optimizimin e rrjetit shkollor dhe mësimin
me një ndërim të zbatuar në mbi 200 shkolla.
“Jam e vetëdijshme se ka reagime për optimizimin, por po e përsëris – askush nuk do të
largohet nga puna, edhe pse në shtatë vitet e fundit kemi 17 mijë nxënës më pak dhe po
zvogëlohet raporti mes mësimdhënësve dhe nxënësve”, tha Janevska.
Theks i veçantë u vu në përmirësimin e statusit të mësimdhënësve. Në dy vitet e para të
mandatit, pagat janë rritur me mbi 20 përqind, ndërsa me marrëveshjën e nënshkruar me
SAShK-un është siguruar rritja e tyre e vazhdueshme gjatë periudhës katërvjeçare. Vazhdon
avancimi në karrierë i mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë në arsimin fillor,
ndërsa për herë të parë këtë vit është futur në arsimin e mesëm. Me ditarin e ri elektronik,
mësimdhënësit lirohen nga detyrime të shumta administrative të cilat kishin në të kaluarën,
por janë gjithashtu të mbrojtur nga presionet për të ndryshuar notat në fund të vitit.
Në arsimin e lartë dhe shkencën, buxheti për universitetet është rritur nga 3 miliardë denarë
në vitin 2022 në 8 miliardë denarë në vitin 2026, ndërsa buxheti për shkencën është rritur nga
380 në 773 milionë denarë. Në vitin 2025 janë ndarë mbi 370 milionë denarë për projekte
kërkimore shkencore me interes kombëtar, ndërsa për kuadrin e fakulteteve dhe
institucioneve shkencore është siguruar qasje falas në bazat e të dhënave Web of Science dhe
Scopus.

Janevska rikujtoi se ministria në vitin 2024 trashëgoi borxhe prej rreth 5 miliardë denarë, të
cilat u shërbyen për të siguruar funksionimin normal të sistemit arsimor.
"Ne ndaluam rënien e lirë dhe tani Maqedonia përshpejton. Arsimi dhe shkenca janë shtyllat
e zhvillimit dhe për këtë arsye mbetemi të përkushtuar ndaj reformave të cilat do të ofrojnë
mundësi më të mira për të rinjtë dhe vend më konkurrues", tha ministrja.