Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në manifestimin festiv për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, në Suhr të Zvicrës, ku është pritur nga një numër i madh bashkatdhetarësh shqiptarë.

Në një atmosferë festive dhe me pjesëmarrje të madhe, shqiptarët që jetojnë në Zvicër kanë shënuar së bashku Ditën e Flamurit dhe krenarisë kombëtare.

Përmes një mesazhi të publikuar pas aktivitetit, Ahmeti ka shprehur kënaqësinë që ishte mes bashkëkombësve, duke vlerësuar ruajtjen e gjuhës, traditës, kulturës dhe lidhjes me atdheun, pavarësisht largësisë.

„28 Nëntori na kujton se flamuri kuq e zi është simboli që na bashkon, ndërsa përgjegjësia jonë është që këtë trashëgimi t’ua përcjellim brezave të ardhshëm“, ka shkruar Ahmeti, njofton TS.

Ai ka falënderuar të gjithë bashkatdhetarët për pjesëmarrjen, duke theksuar se kudo që jetojnë shqiptarët, flamuri kombëtar mbetet simboli i përbashkët i identitetit dhe historisë së tyre.

„Kudo që jemi, një flamur na bashkon dhe një histori na lidh! Gëzuar 28 Nëntorin! Rroftë kombi shqiptar!“, ka përfunduar mesazhin Ali Ahmeti.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume