SPAK ka zgjeruar hetimet pas operacionit të zhvilluar më 16 qershor, ku u godit një grup kriminal që dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës, duke gjeneruar miliona euro të ardhura të dyshuara si të paligjshme.

Në kuadër të kësaj dosjeje voluminoze, hetuesit kanë ushtruar kontrolle ndaj 17 biznesmenëve dhe më shumë se 30 kompanive që operojnë kryesisht në sektorin e ndërtimit. Sipas informacioneve që qarkullojnë në media, kontrolle janë kryer edhe pranë kompanisë “Lura shpk”, e njohur për ndërtimin e komplekseve të vilave në Gjirin e Lalëzit, si LURA 1, LURA 2 dhe projekte të tjera. Pjesë e verifikimeve ka qenë edhe administratori i kësaj shoqërie, Dodë Doçi.

Deri më tani nuk është bërë e ditur arsyeja konkrete e kontrollit ndaj kompanisë “Lura” apo administratorit të saj, por emri i Dodë Doçit rezulton i përmendur në vendimin gjyqësor të lidhur me hetimin ndaj Salvador alias Shpëtim Aliut dhe Isa Aliut, të dyshuar si pjesë e një rrjeti të përfshirë në trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash në vlera miliona euro.

Në dokumentet e dosjes thuhet se gjatë kontrolleve janë sekuestruar ose janë kërkuar të sekuestrohen aparate celularë, kompjuterë, laptopë, pajisje ruajtëse të të dhënave, dokumentacion financiar, kontrata shitjeje, marrëveshje bashkëpunimi, fatura likuidimi, si dhe çdo material tjetër që mund të shërbejë për zbardhjen e lidhjeve të mundshme mes kompanive të ndërtimit dhe personave nën hetim.

Sipas SPAK, në krye të këtij grupi kriminal dyshohet se qëndron Salvador alias Shpëtim Aliu. Në kuadër të të njëjtës çështje janë lëshuar urdhër-arreste edhe për emra të njohur të botës së narkotikëve, si Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika.

Prokuroria e Posaçme dyshon se një pjesë e konsiderueshme e fitimeve të krijuara nga trafiku ndërkombëtar i drogës është investuar në sektorin e ndërtimit, pasuritë e paluajtshme dhe projektet turistike, me qëllim fshehjen e origjinës së parave.

Sipas skemës së përshkruar në dosje, fondet e dyshuara kalonin përmes një rrjeti individësh, kompanish dhe ortakësh, për t’u transformuar më pas në prona apo investime, duke e bërë më të vështirë gjurmimin e burimit të tyre.

Hetimet e SPAK janë tashmë të fokusuara në ndjekjen e rrjedhës së këtyre parave dhe në zbulimin e çdo lidhjeje të mundshme mes kapitalit të dyshuar kriminal dhe projekteve të rëndësishme të zhvillimit në Shqipëri.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume