Duket se në arsimin tonë është zbuluar më në fund formula magjike për përmirësimin e cilësisë. Jo investime në shkolla, jo përmirësim i kushteve të punës, jo ngritje e statusit të mësimdhënësit. Zgjidhja qenka shumë më e thjeshtë: ndrysho emrin e profesionit dhe problemi zhduket.
Sipas kësaj logjike të re revolucionare, nëse mungojnë orët mësimore, nuk duhet pyetur pse po zvogëlohet numri i nxënësve, pse po mbyllen paralele apo pse po largohet rinia. Mjafton që mësimdhënësi të marrë një rol tjetër dhe gjithçka rregullohet si me shkop magjik.
Kështu, mësuesi që për vite ka përgatitur breza të tërë nxënësish, që ka kaluar reforma pas reformash, programe pas programesh dhe eksperimente pas eksperimentesh, sot mëson se problemi nuk qenka sistemi, por vetë ai. Në vend që sistemi të përshtatet me nevojat e arsimit, mësimdhënësi duhet të përshtatet me nevojat e statistikave.
Ndoshta nesër do të dëgjojmë se profesori i matematikës mund të bëhet bibliotekist, bibliotekisti koordinator projektesh, ndërsa koordinatori ndoshta specialist për plotësimin e formularëve. Në fund të fundit, sipas kësaj filozofie, rëndësi ka që vendet në tabelat administrative të jenë të mbushura. Çfarë ndodh me profesionin, përvojën dhe dinjitetin e njeriut mbetet çështje dytësore.
Ironia më e madhe është se të gjithë flasin për rëndësinë e mësimdhënësit kur festohen sukseset e nxënësve, por kur vjen momenti për të mbrojtur pozitën dhe integritetin e tij profesional, ai trajtohet si një numër që mund të zhvendoset nga një kolonë në tjetrën.
Arsimi nuk është lojë me figura në tabelë shahu. Mësimdhënësi nuk është pion që lëvizet sipas nevojës së ditës. Ai është themeli mbi të cilin ndërtohet shkolla, dhe çdo reformë që harron këtë të vërtetë është e destinuar të prodhojë më shumë pakënaqësi sesa cilësi.
Prandaj, para se të kërkohet që mësimdhënësit të ndryshojnë rolin e tyre, ndoshta do të ishte mirë që vetë politikat arsimore të reflektonin mbi rolin e tyre. Sepse arsimi nuk forcohet duke i detyruar mësimdhënësit të ndryshojnë rolin e tyre, por duke krijuar kushte që njohuritë, përvoja dhe dinjiteti i tyre të vlerësohen e të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë.

Pedagog : Naim Kurtishi .

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume