Rreth 400 mijë shtetas rusë kanë humbur jetën në luftën në Ukrainë që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022. Shifra është publikuar nga agjencia “Bloomberg”, që citon të dhëna konfidenciale të agjencisë shtetërore ruse të statistikave, Rosstat.
Bëhet fjalë për informacione të siguruara nga më shumë se 11 milionë certifikata vdekjeje, ku përfshihen të dhëna për moshën, vendbanimin dhe vendin ku ka ndodhur vdekja. Dokumentet janë marrë nga grupi bjellorus i hakerëve “Cyber Partisans”, i lidhur me opozitën, dhe grupi ukrainas “Silent Crow”, të cilët ia kanë vënë më pas në dispozicion agjencisë “Bloomberg” dhe disa mediave të tjera.
Sipas hakerëve, ata kanë arritur të marrin rreth 23 terabajt të dhëna, mes të cilave dokumente të brendshme, statistika demografike dhe ekonomike, si dhe informacione për humbjet ruse në luftë.
Duke analizuar këto dokumente, grupet kanë bërë llogaritjet e tyre për numrin e viktimave. Sipas “Cyber Partisans”, deri më 27 gusht 2026, të paktën 393.881 shtetas rusë kishin humbur jetën në luftë. Ndërsa grupi “Silent Crow” jep një shifër më të lartë, prej 450.100 viktimash.
Diferenca mes dy vlerësimeve lidhet me mënyrën e përllogaritjes. Grupi bjellorus ka përfshirë vetëm rastet kur vdekja është shkaktuar nga veprimet ushtarake ose pasojat e tyre. Ndërsa grupi ukrainas ka llogaritur edhe vdekjet e ushtarakëve për shkaqe të tjera, rastet e klasifikuara si akte terroriste dhe personat e regjistruar në Rusi, por që kanë vdekur në territoret e pushtuara ose në Ukrainë, kur shkaku i vdekjes nuk është përcaktuar.
Rusia nuk publikon të dhëna zyrtare për humbjet në luftime që nga shtatori i vitit 2022. Ndërkohë, databaza e përbashkët e shërbimit rus të BBC-së dhe organizatës Mediazona kishte regjistruar deri më 8 nëntor rreth 286 mijë ushtarakë rusë të vrarë, identiteti i të cilëve është konfirmuar.
Megjithatë, kjo listë nuk përfshin të gjitha viktimat, veçanërisht ato të muajve të fundit të luftës. Për këtë arsye, vlerësimet e publikuara nga grupet e hakerëve paraqesin një numër më të madh të humbjeve njerëzore të Rusisë në Ukrainë.