Irani ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili akuzoi Teheranin se po ushqen një fushatë dezinformimi lidhur me debatin për projektin në Zvërnec.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, hodhi poshtë akuzat e kreut të qeverisë shqiptare, duke thënë se pas këtyre pretendimeve mund të thuhet edhe se flamingot janë agjentë sekretë iranianë.

“Irani? Ndoshta do të thonë se edhe flamingot ishin agjentë sekretë iranianë”, ironizoi Baghaei.

Më tej, ai e cilësoi qëndrimin e qeverisë shqiptare si një narrativë të përsëritur nga autoritetet që, sipas tij, kërkojnë të afrohen më shumë me Izraelin.

“Kjo është një linjë stereotipike nga një trup qeverisës, i cili kërkon të afrohet edhe më shumë me regjimin sionist”, tha zëdhënësi iranian.

Baghaei kritikoi gjithashtu akuzat e ngritura ndaj Iranit, duke argumentuar se ato synojnë të shmangin debatin e brendshëm politik.

“Që të bësh një akuzë të tillë ndaj Iranit do të thotë t’i bësh qefin regjimit sionist. Por populli shqiptar është me siguri shumë mirëkuptues dhe e di se etiketime të tilla bëhen thjesht për të evituar llogaridhënien para popullit të tyre sa i takon veprimeve që janë cilësuar në mënyrë të natyrshme kundër sovranitetit dhe dinjitetit të atij vendi”, u shpreh ai.

Reagimi vjen pasi Rama deklaroi gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat se pas një pjese të narrativave të shpërndara në rrjetet sociale për projektin në Zvërnec qëndrojnë aktorë të huaj, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë regjimin iranian.

Sipas kryeministrit, Teherani është pjesë e përpjekjeve për të përhapur pretendimin se projekti në Zvërnec lidhet me një plan për vendosjen e palestinezëve nga Gaza në Shqipëri.

“Regjimi iranian, i përfshirë prej kohësh në sulme kibernetike kundër vendit tonë, është pjesë e përpjekjeve për të përhapur narrativën se projekti synon sjelljen e palestinezëve nga Gaza në Shqipëri”, deklaroi Rama.

Kryeministri i cilësoi këto pretendime si pjesë të një “lufte hibride” kundër Shqipërisë dhe tha se në rrjetet sociale po qarkullojnë video dhe materiale të manipuluara që nuk pasqyrojnë realitetin në vend.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume