“Izraeli duhet të ndalet, përbën kërcënim për botën” – Netanyahu sulmon Erdoganin: Tirani antisemit nuk mund të japë mësime morale
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka sulmuar ashpër presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan pasi ai tha se sulmet e Izraelit ndaj Sirisë dhe Libanit kishin arritur në një pikë ku ato kërcënojnë edhe Turqinë, duke shtuar se “agresioni” i Izraelit përbën një kërcënim për të gjithë botën dhe duhet të ndalet.
Netanyahu e cilësoi presidentin turk si një “diktator antisemit”, duke e akuzuar atë për “kryerje gjenocidi kundër kurdëve”, mbështetje të Hamasit, shtypje të popullit të tij dhe burgosje të kundërshtarëve politikë.
“Diktatori antisemit Erdogan, i cili po kryen gjenocid kundër kurdëve, mbështet organizatën terroriste Hamas, shtyp popullin e tij dhe burgos kundërshtarët politikë, është personi i fundit që mund t’i predikojë moral Izraelit”, tha Netanyahu.
“Izraeli dhe IDF, ushtria më morale në botë, do të vazhdojnë të veprojnë me forcë kundër Iranit dhe aleatëve të tij, të cilët kërcënojnë Lindjen e Mesme dhe të gjithë botën”, shtoi ai.