Urim Saliu
Askush nuk e di me siguri nëse koalicionet shqiptare në Maqedoninë e Veriut do të mbijetojnë apo do të shpërbëhen. Si në pushtet, ashtu edhe në opozitë, ato ngjajnë me bomba me sahat që mund të shpërthejnë në çdo moment.
Megjithatë, ekziston një dallim i madh mes dy kampeve. Pushteti ende ka mundësinë të mbajë njerëzit pranë vetes përmes posteve, privilegjeve dhe premtimeve. Dikujt i jepet një funksion, dikujt tjetër i premtohet një vend në listat zgjedhore, ndërsa të tretëve u serviret shpresa se nesër do të jenë pjesë e rrethit të privilegjuar. Kjo është forca e pushtetit dhe kajmaku që ai shpërndan për të ruajtur ekuilibrat e brendshëm.
Por opozita shqiptare përballet me një sfidë tjetër. Ajo duhet të bëjë një betim që nuk guxon ta thyejë. Nëse dëshiron të bindë qytetarët se përfaqëson ndryshimin, atëherë duhet të mbajë larg të gjithë ata që sot janë pjesë e pushtetit dhe që për vite me radhë kanë qenë pjesë e sistemit. Nga funksionari më i vogël deri te emrat më të mëdhenj politikë, askush prej tyre nuk duhet të paraqitet si fytyrë e re e opozitës.
Mllefi i qytetarëve nuk është vetëm ndaj partive, por ndaj individëve që për vite të tëra kanë lëvizur nga një kamp në tjetrin, duke mbijetuar politikisht pavarësisht dështimeve. Janë po ata emra që gjithmonë gjejnë strehë, pavarësisht se kush është në pushtet. Pikërisht këta njerëz duhet të filtrohen me lapsin e madh të qytetarëve, sepse kanë qenë ndër dëmtuesit më të mëdhenj të besimit publik dhe të shoqërisë shqiptare.
Opozita duhet të ketë kujtesë edhe për ata analistë, zëra publikë dhe media që me fanatizëm të pashpjegueshëm kanë mbrojtur çdo veprim të pushtetit, duke tentuar ta paraqesin çdo dështim si sukses. Ndryshimi nuk mund të vijë nëse ndryshohen vetëm emrat e partive, ndërsa mbeten të njëjtët aktorë, të njëjtat mendësi dhe të njëjtat interesa.
Pa u pastruar terreni politik, nuk mund të ketë ndryshim të vërtetë. Nuk mund të ndërtohet e ardhmja me njerëz që kanë konsumuar besimin e qytetarëve për dekada të tëra, ndërsa ata që kanë integritet dhe vlera lihen në periferi.
Koha kur të njëjtët njerëz vendosnin gjithçka po shkon drejt fundit. Shoqëria shqiptare ka nevojë për fytyra të reja, ide të reja dhe përgjegjësi të re. Koha e të keqinjve ka mbaruar. Tani është koha që politika të kthehet te njerëzit.