Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, tha se është zgjedhur mënyra më e mirë si mund të miratohet një ligj.

“Ligji filloi siç parashikohet në rregulloren e punës dhe në procedurë të rregullt. Pati debat publik me të gjitha palët e interesuara, do të thoja. Komisioni u mblodh gjithashtu, vendosëm për nevojën e miratimit të ligjit me Badenter. Ai kaloi në lexim të parë, pastaj ligji është në debatin e komisionit, amendamentet po shqyrtohen. Shpresoj që në fillim të javës së ardhshme debati i amendamenteve do të përfundojë dhe pasi të përfundojë, ai propozim – nëse do të plotësohet apo do të jetë i njëjtë nëse nuk pranohet asnjë amendament i vetëm, kjo varet nga debati në Komisionin për sistemin politik – do të kalojë në lexim të dytë në seancën plenare dhe shpresoj se do të pranohet nga shumica e deputetëve”, tha Gashi.

Sa u takon kritikave të opozitës shqiptare, ai tha se vlerësimi i tij është se nuk ka ligj perfekt.

“Por midis mospasjes së një ligji dhe pasjes dhe miratimit të një ligji të menduar mirë, mbi të cilin është punuar për dy vjet, ku janë përfshirë ekspertë, ku është i përfshirë i gjithë publiku, ku edhe Komisioni i Venecias ka shprehur mendimin e tij… Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të miratuar një ligj”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, shumica e vërejtjeve paragjykohen ose hipotetikisht parashtrohet pyetja se kjo zgjidhje nuk mund të funksionojë siç duhet, por ai thotë se ligji parasheh sistem i cili do ta ndjekë përfaqësimin e drejtë dhe në përqindje të qytetarëve në lidhje me punësimet në sektorin publik.

“Do të doja që ligji të funksiononte në mënyrë perfekte, por nëse ka ndonjë vërejtje diku gjatë procesit të zbatimit të atij ligji, ne jemi këtu në Kuvend, do të bëjmë ndryshime. Por të paragjykosh paraprakisht të gjithë ligjin, mendoj se nuk është e drejtë. Nuk pajtohem me këtë qasje”, ka thënë Gashi.

Kuvendi në ditët në vijim, sipas tij, intensivisht do të punojë edhe në miratimin e ligjeve në lidhje me agjendën e reformave.

“Lidhur me agjendën e reformave, ju e dini që 30 qershori është afati i fundit për votimin e ligjeve nga agjenda e reformave. Pjesa më e madhe e agjendës së Kuvendit është e organizuar rreth përmbushjes së këtyre afateve. Sot kemi seancë për pyetje të deputetëve, nesër do të kemi seancë, të hënën me shumë mundësi do të thërrasim seancë të re, në mënyrë që deri më 30 qershor të përpiqemi të miratojmë gjithçka që vjen si propozim nga Qeveria dhe deputetët, dhe që lidhet me agjendën e reformave”, ka thënë kryeparlamentari Gashi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume