Sulmuesi i Bregut të Fildishtë, Elye Wahi, i cili po hetohet për dyshime për trukime ndeshjesh, nuk është autorizuar të udhëtojë në Kanada për ndeshjen e radhës të Kupës së Botës kundër Gjermanisë, ka njoftuar të enjten federata e futbollit e Bregut të Fildishtë.

Bregu i Fildishtë përballet me Gjermaninë të shtunën në Toronto.

Federata tha se Wahi nuk do të mund të udhëtojë me skuadrën sepse “autorizimet e nevojshme administrative për hyrjen e tij në territorin kanadez nuk mund të siguroheshin në këtë fazë”.

Wahi ishte titullar në sulm për Bregun e Fildishtë kur ata mposhtën Ekuadorin 1-0 në ndeshjen e parë në Filadelfia të hënën.

Ai do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara në pritje të kthimit të ekipit, tha federata.

Liga franceze e futbollit, Ligue 1, tha të mërkurën se ishte vërejtur një “numër i pazakontë bastesh” të vendosura ndërkombëtarisht për marrjen e një kartoni të verdhë nga Wahi në një ndeshje të Ligue 1 kundër Nice në maj.

Liga franceze u njoftua nga partnerët që monitorojnë tregjet e basteve për aktivitet të dyshimtë në nivel ndërkombëtar në lidhje me ndeshjen e Nice kundër Metz më 17 maj, e cila përfundoi 0-0 dhe ku Wahi mori një karton të verdhë.

Liga franceze tha se ia kaloi këtë informacion policisë dhe autoriteteve të lojërave të fatit, si dhe Federatës Franceze të Futbollit.

I pyetur nëse Wahi ishte marrë në pyetje nga policia, prokuroria e Marsejës tha për “Associated Press” se “një futbollist profesionist 23-vjeçar, që garon në Ligue 1, u arrestua më 29 maj 2026, si pjesë e hetimit”.

Zyra shtoi se “hetimi ka të bëjë me vepra të dyshuara të mashtrimit të organizuar, korrupsionit sportiv të organizuar, pranimit të mallrave të vjedhura dhe pastrimit të parave”.

Lojtari u mor në pyetje gjatë ndalimit policor dhe më pas u lirua pa u mbajtur në paraburgim. Hetimi, sipas tyre, vazhdon.

Përfaqësuesit e Wahi nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Federata e Futbollit të Bregut të Fildishtë (FIF) tha se nuk është njoftuar zyrtarisht “për ndonjë procedurë gjyqësore apo administrative” që lidhet me Wahi.

“Gjatë kësaj periudhe veçanërisht delikate, FIF i ofron lojtarit mbështetjen e plotë dhe riafirmon besimin në të,” thuhet në deklaratë.

“Elye Wahi mbetet një anëtar i rëndësishëm i ekipit kombëtar të Bregut të Fildishtë”, thuhet tutje.

17 maji ishte raundi i fundit i sezonit në Ligue 1. Më pak se dy javë më vonë, Wahi ndihmoi Nice të qëndrojë në Ligue 1 duke shënuar dy gola në fitoren 4-1 ndaj Saint-Étienne në ndeshjen e dytë të “play-offit” për mbijetesë/promovim.

23-vjeçari Wahi ishte transferuar te Nice në huazim nga klubi gjerman Eintracht Frankfurt në janar dhe shënoi nëntë gola në 18 ndeshje gjithsej, duke ndihmuar ekipin të arrijë në finalen e Kupës së Francës.

“Spot-fixing” është manipulimi i paligjshëm i një pjese të caktuar të ndeshjes, shpesh për qëllime bastesh, pa ndikuar domosdoshmërisht në rezultatin final të saj.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume