Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi në seancën e sotme parlamentare se qeveria që ai drejton ka arritur ta rrisë BPV-në nominale për 140 milionë dollarë më shumë sesa qeveria e LSDM-së gjatë gjashtë viteve të qeverisjes së saj, pavarësisht se, sipas tij, është ngarkuar me borxh dukshëm më të ulët informon Tetovasot.
Duke iu përgjigjur kritikave të liderit të opozitës, Venko Filipçe, lidhur me rritjen e borxhit publik, Mickoski tha se krahasimi i shifrave tregon rezultate më të mira ekonomike në një periudhë shumë më të shkurtër.
“Qeveria e LSDM-së e rriti borxhin publik nga 4.78 miliardë euro në 8.47 miliardë euro, ose për 3.69 miliardë euro. Ndërsa qeveria që unë drejtoj e ka rritur borxhin për rreth 1.38 miliardë euro, që është gati tre herë më pak”, tha Mickoski.
Ai theksoi se sipas të dhënave të FMN-së, gjatë qeverisjes së LSDM-së BPV-ja nominale u rrit nga 11.34 miliardë në 15.86 miliardë dollarë, ose për 4.52 miliardë dollarë.
“Në mandatin e kësaj qeverie, BPV-ja nominale është rritur nga 16.95 miliardë në 21.61 miliardë dollarë, ose për 4.66 miliardë dollarë. Kjo do të thotë se me një borxh pothuajse tre herë më të ulët, kemi arritur një rritje të BPV-së prej 140 milionë dollarësh më shumë sesa ju për gjashtë vjet”, deklaroi Mickoski.
Sipas tij, rezultatet tregojnë se qeveria aktuale ka arritur efikasitet më të madh ekonomik, duke realizuar rritje më të lartë të BPV-së në një periudhë tre herë më të shkurtër dhe me nivel dukshëm më të ulët të huamarrjes. Tetovasot