Shkruan: Merxhan Jakupi
Shumë sociologë dhe psikologë shkruajnë se njerëzit, pas adoleshencës, fillojnë të ndryshojnë statusin shoqëror. Disa arrijnë poste, prestigj e pasuri, kurse pjesa tjetër mbetet në shoqëri me statusin e “lumpenproletariatit”, punëtorë të thjeshtë, të varfër dhe klasë e ulët.
Me plakjen graduale, statusi shoqëror ndryshon. Të gjithë njerëzit fillojnë të shoqërohen, pa marrë parasysh klasën, prestigjin, nëse janë të pasur apo të varfër. Të gjithë ndihen më të afërt, më miqësorë, më tolerantë dhe më afër Zotit, shkruan sociologu dhe psikologu zviceran Karl Jung.
Sipas Karl Jungut, njerëzit pas daljes në pension dhe në moshë të thyer bëhen më religjiozë dhe janë më afër Zotit. Kjo narrativë epistemologjike, përveç në shoqëritë tradicionale, është e pranishme edhe në shoqëritë moderne sekulare.
Një gazetar kishte shkuar te ish-presidenti amerikan Ronald Reagan në ranch-in (rezidencën) e tij për të bërë një intervistë. Reagan i kishte thënë gazetarit se, në pleqëri, tashmë ishte më afër Zotit. “Nuk jam religjioz, por shoh se mbështetja te një Krijues më ndihmon, më bën më tolerant dhe më jep kënaqësi e paqe shpirtërore”.
Më kujtohet një intervistë në gjuhën gjermane, që kam lexuar para disa vitesh, me ish-kancelarin gjerman Helmut Kohl. Pas përfundimit të mandatit, kancelari karizmatik gjerman Helmut Kohl jetonte një jetë të qetë. Gazetari, duke iu afruar vilës së tij për të realizuar intervistën, u prit nga shërbëtorja, e cila i tha: -Ju lutemi, duhet të prisni pak. Zoti Helmut ka shkuar në market për t’i blerë qumësht qenit.
Helmut Kohl ishte një demokristian i devotshëm. Gjatë bisedës me gazetarin, ai i tha gayetarit se një pjesë e individëve, pa marrë parasysh pozitat dhe postet që kanë pasur në jetë, në pleqëri bëhen më religjiozë dhe më afër Zotit. -Unë jam rritur në një familje të devotshme katolike dhe kam qenë monoteist. Tash, në pleqëri, vizitat janë të rralla. Jeta është e zbrazët dhe asociale, prandaj ndihem shumë më afër Zotit. Po të mos ishte Zoti, jeta ime do të ishte e zbrazur, melankolike dhe e asociale.
Ky fenomen është i pranishëm edhe në shoqërinë shqiptare. Pas daljes në pension, ndryshimit të status quo-së dhe hyrjes në moshë, shumë individë janë bërë më fetarë, më praktikues dhe më afër Zotit. Një pjesë e të ashtuquajturve sekularë modernë, klasë intelektuale, janë bërë madje shumë më religjiozë. Një pjesë tjetër e shoqërisë, ndonëse ka hyrë në moshë, nuk e ka ndryshuar status quo-në e vet.
Sociologu Peter Berger shkruan se popujt janë të prirur të besojnë në një fuqi mbipersonale, në një arkitekt të universit. Që kur shkeli këmba e parë e njeriut në këtë planet të bukur, njerëzimi filloi të besojë në Zot dhe do të vazhdojë të besojë për sa kohë të jetojë në këtë planet. Dhe sikur të mos kishte Zot, njeriu do ta shpikte Zotin.
Babai i psikologjisë, Sigmund Freud, në një pasazh ka shkruar se njeriu kalon nëpër tri hallka ose stade të jetës. Si foshnjë, e gjen mbështetjen te prindërit. Pasi fillon të shkojë në shkollë, mbështetjen si nxënës e gjen te mësuesi dhe pedagogu i tij. Pas adoleshencës, sipas tij, kalon në stadin e fundit, mbështetjen e kërkon te Zoti, duke ndryshuar kështu status quo-në.
RIKTHIMI I RELIGJIONIT PAS KOMUNIZMIT TEK POPUJT E BALLKANIT
Pas Luftës së Dytë Botërore, në ish-Federatën Jugosllave, ideologjia marksiste-leniniste ishte instaluar një shoqëri sekulare dhe ateiste. Kjo shoqëri konsiderohej e arsimuar, intelektuale, moderne, urbane dhe sekulare. Shoqëritë tradicionale, fetare dhe rurale konsideroheshin si shoqëri puritane, konservatore, të prapambetura dhe dekadente. Kjo shtresë shoqërore diskriminohej dhe ndihej si qytetare e rendit të dytë.
Këto fenomene ekzistonin edhe në shoqërinë shqiptare. Shoqëria tradicionale, konservatore, puritane dhe praktikuese e riteve fetare konsiderohej si një shoqëri e prapambetur, dekadente, e ngarkuar me dogma dhe paragjykime.
Pas shembjes së komunizmit në Ballkan filloi ringjallja e religjioneve. Fetë u kthyen dhe zunë vendin që më parë e kishte ideologjia marksiste-leniniste dhe komuniste. Pas rënies së ideologjive komuniste, te këta popuj filloi një kërkim i identitetit shpirtëror dhe kulturor.
Rilindja fetare e popujve të Ballkanit nuk do të thotë se ata janë zhytur thellë në dogmat fetare dhe mistike. Një pjesë e atyre që iu kthyen religjionit janë praktikues dhe fetar të devotshëm. Te një pjesë tjetër e këtij komuniteti, feja mbetet si kulturë, traditë dhe nuk besojnë në dogma fetare.
Sipas sociologut dhe psikologut Erich Fromm, kur regjimet dhe sistemet bëhen të korruptuara, të inkriminuara dhe përballen me recesione, kriza ekonomike dhe papunësi. Popujt fillojnë të jenë inferior ndaj liderëve të tillë. Ata fillojnë t’u besojnë më shumë liderëve fetarë, tek të cilët gjejnë mbështetje sociale dhe shpirtërore.
Rikthimi i traditës fetare u shfaq pas shembjes së komunizmit edhe në Shqipëri, si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore. Në festën e Kurban Bajramin e fundit, mijëra qytetarë të besimit islam nëpër qytete të ndryshme falën namazin e Bajramit. Po ashtu, në Tiranë, në Sheshin Skënderbej, mijëra besimtarë shqiptarë kryen ritualet e festës së Kurban Bajramit.
Edhe në Prishtinë, Shkup dhe qytete të tjera, morën pjesë mijëra besimtarë për të kryer ritualet dhe ceremonitë e festave fetare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume