Urim Saliu
Zgjohesh në mëngjesin e mbushur me ankth, pas gjithë asaj që ke përjetuar prej kohësh. Dëgjon kryeministrin të përsërisë fjalën e tij të preferuar: “nishto”. Dhe sa më shumë e dëgjon atë “nishto”, aq më shumë duket sikur po zbehen premtimet e mëdha që iu dhanë shqiptarëve.
Ne presim. Dhe çfarë marrim? Nishto.
Presim përfaqësim më të drejtë. Nishto.
Presim barazi institucionale. Nishto.
Presim zgjidhje për problemet reale të qytetarëve. Nishto.
Do të kalojë dita dhe do të vijë mbrëmja. Edhe atëherë, sërish nishto.
Ndërkohë, partnerët shqiptarë të koalicionit vazhdojnë të fotografohen, të japin deklarata optimiste dhe të shesin sukseset që qytetarët nuk i shohin askund. Sa më shumë që Mickoski e përdor atë fjalë, aq më shumë duket se po bëhet simbol i qeverisjes aktuale edhe për ata që duhej të ishin zëri i shqiptarëve.
Kjo nuk e amniston opozitën shqiptare, e cila bart barrën e shumë gabimeve të së kaluarës. Por fakti që dikush ka gabuar dje nuk mund të jetë justifikim që sot të mos japësh rezultate.
Në fund, qytetari i zakonshëm mbetet aty ku ishte. Duke pritur. Duke dëgjuar premtime. Duke numëruar muajt.
Dhe kur bën bilancin e asaj që ka marrë, përgjigjja është e njëjtë:
Në mëngjes – nishto. Në mesditë – nishto. Në mbrëmje – nishto.