Në kuadër të edicionit të parë të Panairit të Librit Shqip “Shkupi 2026”, u mbajt ceremonia solemne e ndarjes së çmimeve letrare, ku u vlerësuan autorë, studiues dhe përkthyes për kontributin e tyre në pasurimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Çmimi për “Prozën më të Mirë” iu nda Namik Dokles për romanin “Asnjë trokitje në qiell”, çmimi për “Poezinë më të Mirë” iu dha Resul Shabanit për veprën “Ëndërr e falur”, ndërsa çmimi për “Përkthimin më të Mirë” iu nda Ana Koves. Me çmimin për “Studimin më të Mirë” u vlerësua Kujtim Shala për veprën “Epi i Shqiptarëve”, ndërsa çmimi për “Librin më të Mirë për Fëmijë” iu dha Rovena Rrozhanit për librin “Sekreti i fshehur në libra”.
Në ceremoni u ndanë gjithashtu edhe dy vlerësime të veçanta: Çmimi i Karrierës për shkrimtarin dhe botuesin Abdullah Zeneli, si dhe Çmimi Special pas vdekjes për poeten dhe studiuesen Lindita Ahmeti, në shenjë nderimi për veprën dhe trashëgiminë e tyre të çmuar. Ceremonia përmbylli me dinjitet programin e ditës së tretë të Panairit, duke afirmuar rëndësinë e librit dhe krijimtarisë shqiptare në hapësirën kulturore mbarëshqiptare.







