Tetovë – Debati për emrat e rrugëve në Tetovë po vazhdon të ashpërsohet, ndërsa anëtari i BDI-së, Liridon Disha, ka akuzuar kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, dhe bashkëpunëtorët e tij për manipulim të opinionit lidhur me këtë çështje informon Tetovasot.

Në një reagim publik, Disha thotë se iniciativa për ndryshimin e emrave të rrugëve ishte ngritur para se Lëvizja BESA të bëhej pjesë e qeverisë, por sipas tij, pas fitores në zgjedhjet lokale, Kasami e la mënjanë këtë proces për të mos rrezikuar mbështetjen politike nga VMRO-DPMNE në Këshillin Komunal.

Sipas Dishës, BDI është e gatshme të sigurojë votat e nevojshme në Këshillin Komunal nëse ekziston vullnet real për ndryshimin e emrave të rrugëve, por ai pretendon se kryetari i komunës ka hequr dorë nga kjo ide.

“Ne si BDI kemi marrë pjesë aktive në komisionin për emërtimin e rrugëve dhe me përgjegjësi të plotë them se aty nuk është diskutuar asnjëherë për ndryshim emrash, por vetëm për emërtimin e rrugëve që ende mbajnë numra”, deklaron Disha.

Ai thekson se komisioni është marrë vetëm me rrugët e paemërtuara, të identifikuara me numra, dhe jo me ndryshimin e emrave ekzistues të rrugëve në qytet.

Në fund të reagimit të tij, Disha akuzon përfaqësuesit e pushtetit lokal se po tentojnë të mashtrojnë qytetarët dhe kërkon që publikut t’i thuhet e vërteta lidhur me procesin e emërtimit të rrugëve në Tetovë.

Çështja e emrave të rrugëve është rikthyer në qendër të debatit politik pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka nxitur reagime të shumta nga partitë dhe faktorët politikë shqiptarë në vend.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume