Ish-kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, është dënuar me një vit burg për ndërtim pa leje të ndërtesës komunale, ka vendosur Gjykata e Apelit në Shkup. Gjykata e ka konfirmuar pjesërisht vendimin e shkallës së parë, me çka dënimi për Jakimovskin bëhet i formës së prerë për veprën ndërtim pa leje, ndërsa në dënim llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak. Për pjesën e abuzimit me detyrën zyrtare, rasti kthehet në rigjykim, ndërsa për këtë pjesë ekziston mundësia e parashkrimit në vitin 2027.
Për të akuzuarin e dytë T. Gj. gjithashtu është shfuqizuar dënimi me kusht dhe rasti kthehet për rigjykim para gjykatës. Kallëzimi penal është ngritur në vitin 2018 nga Drejtoria e Policisë Financiare, ndërsa pas gjashtë vitesh proces gjyqësor, vitin e kaluar ishte shqiptuar një vendim jo i formës së prerë me tre vjet e gjysmë burg për Jakimovskin. Pas vendimit të Apelit për një vit burg, Jakimovski duhet të vuajë edhe shtatë muaj burg, pasi pesë muaj i ka kaluar në arrest shtëpiak./tv21