Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se është njoftuar nga ushtria e vendit të tij se mbrëmjen e 8 qershorit, iranianët e rrëzuan një helikopter ushtarak mbi Ngushticën e Hormuzit.

“Sapo jam informuar nga ushtria jonë se mbrëmë iranianët rrëzuan një nga helikopterët tanë të sofistikuar, Apache, teksa po patrullonte mbi Ngushticën e Hormuzit”, shkroi udhëheqësi amerikan në Truth Social.

Trump tha se dy pilotët e helikopterit të ushtrisë amerikane janë mirë dhe nuk janë lënduar.

“Megjithatë, SHBA-ja duhet, me patjetër, që t’i përgjigjet këtij sulmi”, shkroi Trump.

Më herët, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) konfirmoi se kishte ndodhur një incident ku u përfshinë dy pilotë të një helikopteri të llojit Apache, që u rrëzua afër Ngushticës së Hormuzit.

“Në orën 19:33 [sipas kohës lokale] më 8 qershor, dy anëtarë të një helikopteri AH-64 Apache të ushtrisë amerikane janë shpëtuar nga forcat amerikane pasi helikopteri u rrëzua afër brigjeve të Omanit teksa po patrullonte ujërat rajonale”, tha CENTCOM më 9 qershor.

CENTCOM tha se ushtarët u shpëtuan rreth dy orë pas kësaj ngjarjeje dhe janë “në gjendje stabile”, duke shtuar se “shkaku i incidentit po hetohet”.

Ngushtica e Hormuzit është një rrugë kyç për dërgesat botërore të naftës dhe gazit. Irani praktikisht e ka mbyllur atë për qarkullim që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ajrore ndaj Republikës Islamike në fund të shkurtit.

Njoftimi i Trumpit për rrëzimin e helikopterit vjen një ditë pasi Irani dhe Izraeli këmbyen sulme ajrore për herë të parë që nga armëpushimi i prillit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume