Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, Valmir Aziri ka kritikuar ashpër vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me emërtimet e rrugëve në Tetovë, duke e cilësuar atë si një goditje ndaj të drejtave të fituara dhe bashkëjetesës ndëretnike informon Tetovasot.

Sipas Azirit, përpjekjet për të zhbërë vendime të miratuara më shumë se dy dekada më parë përbëjnë një provokim të rëndë dhe dërgojnë mesazh se të drejtat e fituara mund të jenë të përkohshme.

“Kur pas më shumë se 20 vitesh tentohet të abrogohet një e drejtë krejtësisht legale, qytetare dhe demokratike, nuk cenohet vetëm një e drejtë e fituar, por minohet besimi në institucionet e shtetit dhe në sigurinë juridike të çdo qytetari”, shkruan Aziri.

Ai vlerëson se veprime të tilla krijojnë pasiguri dhe mosbesim mes qytetarëve, duke dëmtuar konceptin e shtetit multietnik dhe themelet e bashkëjetesës.

Në fund të reagimit të tij, Aziri ka bërë të ditur se do t’i bashkohet protestës së paralajmëruar në Tetovë.

“Andaj, nesër bashkë me familjen time do të protestoj. Do të protestoj për një të drejtë të mohuar dhe kundër idesë së rrezikshme se të drejtat e mia, të fituara me gjak dhe sakrificë, qenkan të përkohshme”, thekson ai.

Protesta e paralajmëruar pritet të mbahet nesër në Tetovë, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve.Tetovasot

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume