Universiteti i Tetovës, në kuadër të promovimit të veprimtarisë shkencore dhe fuqizimit të
bashkëpunimit me institucionet relevante, merr pjesë në edicionin e 10-të të Shkollës së Ohrit për të
Drejtën Natyrore, që zhvillohet në Ohër prej 5–11 korrik 2026.
Ky aktivitet organizohet nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë (ASHAM), në
kuadër të nismës rajonale "Forcimi i qasjes në drejtësi përmes ndihmës juridike falas", duke
mbledhur profesorë universitarë, studiues, ekspertë, praktikues të së drejtës dhe studentë nga vendi
dhe rajoni për të diskutuar tema me rëndësi të veçantë në fushën e së drejtës natyrore, të drejtave të
njeriut dhe qasjes efektive në drejtësi.
Universiteti i Tetovës përfaqësohet në këtë aktivitet nga profesorë dhe studentë të Fakultetit Juridik,
të cilët kontribuojnë në programin shkencor me prezantime dhe diskutime që pasqyrojnë
angazhimin akademik dhe profesional të institucionit.
Në kuadër të programit, Prof. Dr. Afrim Osmani ligjëroi me temën "Qasja në drejtësinë mjedisore
përmes ndihmës juridike falas", duke trajtuar rëndësinë e garantimit të mbrojtjes juridike në çështjet
mjedisore, rolin e ndihmës juridike falas në realizimin e të drejtave të qytetarëve dhe sfidat
institucionale në sigurimin e një qasjeje efektive në drejtësi.
Po ashtu, Prof. Dr. Afet Mamuti e prezanton temën "Qasja në drejtësi e familjeve të cenueshme
nëpërmjet ndihmës juridike falas: Sfidat dhe perspektivat në zgjidhjen e kontesteve të së drejtës
familjare", në të cilën trajton rëndësinë e mbështetjes juridike për kategoritë në nevojë, sfidat në
zbatimin e legjislacionit dhe nevojën për forcimin e mekanizmave institucionalë që garantojnë qasje
të barabartë dhe efektive në drejtësi.
Pjesëmarrja  e profesorëve dhe studentëve të Fakultetit Juridik në këtë forum ndërkombëtar
konfirmon përkushtimin e Universitetit të Tetovës për avancimin e cilësisë në arsimin e lartë,
zhvillimin e kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimin e veprimtarisë akademike dhe promovimin e
vlerave të shtetit të së drejtës, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume