Sot shënohet 31-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, një nga krimet më të rënda të kryera në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Srebrenica, e cila në atë kohë ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara, ra nën kontrollin e forcave serbe të Bosnjës më 11 korrik 1995.
Gjatë ditëve që pasuan, mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u ekzekutuan sistematikisht, ndërsa rreth 25 mijë gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan me forcë nga enklava. Ky krim konsiderohet masakra më e madhe në Evropë që nga Holokausti.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) dhe Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) kanë konstatuar me vendime përfundimtare se krimet e kryera në Srebrenicë përbëjnë gjenocid, transmeton Klankosova.tv.
Për këto krime janë dënuar një numër ish-udhëheqësish politikë dhe ushtarakë të serbëve të Bosnjës.
Në maj të vitit 2024, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën me të cilën 11 korriku u shpall Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës të vitit 1995.
Rezoluta dënon mohimin e gjenocidit dhe lavdërimin e personave të dënuar për krime lufte, duke u bërë thirrje shteteve që të ruajnë faktet historike dhe të promovojnë edukimin për parandalimin e gjenocidit.