Protestat masive në të gjithë Francën vazhduan edhe në fundjavë. Presioni duhet të vazhdojë, thotë një përfaqësues i studentëve francezë.

Dhjetëra mijëra qytetarë dolën sërish në protesta në mbarë Francënedhe këtë fundjavë. Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, vetëm të shtunën, në demonstrata morën pjesë rreth 146.000 persona. Ndërkohë, organizatorët e protestave, përfshirë sindikatat dhe organizatat studentore, pretendojnë se numri i pjesëmarrësve arriti në 250.000.

Para një jave, vlerësimet për pjesëmarrjen dallonin prej 320.000 deri në 500.000 protestues, ndërsa qindra mijëra të tjerë kishin dalë në rrugë edhe të enjten e kaluar.

Demonstratat këtë fundjavë ishin kryesisht paqësore, megjithëse në disa raste pjesëmarrësit hodhën objekte drejt forcave të rendit, të cilat reaguan me gaz lotsjellës. Sipas Ministrisë së Brendshme, të paktën 360 persona u arrestuan.
Protestat kryesisht paqësore
Në Paris, protestuesit marshuan paqësisht nga sheshi Place de la République. Mes tyre kishte një numër të madh nxënësish dhe studentësh.

“Sot është thelbësore të vazhdojmë presionin”, deklaroi për AFP përfaqësuesja e studentëve, Sabrine Harbach. Kjo ishte e shtuna e katërt radhazi e protestave masive kundër rritjes së kostos së jetesës dhe problemeve në sistemin arsimor.

Në kryeqytet, forca të shumta policore penguan një tubim të ndaluar të lëvizjes “Jelekët e Verdhë” pranë Pallatit Élysée. Rreth njëqind mbështetës të kësaj lëvizjeje u përpoqën të mblidheshin në Place de la Concorde, jo larg rezidencës presidenciale. Policia ndërhyri për të shpërndarë tubimin dhe rrethoi demonstruesit. Dy përfaqësues të lëvizjes u ndaluan, ndërsa disa dhjetëra persona u gjobitënme nga 135 euro secili.

360 të arrestuar në të gjithë vendin
“Siç pritej, më pak organizata sindikale morën pjesë në demonstrata dhe shumë tubime nuk u regjistruan”, deklaroi Ministria e Brendshme. Deri në orën 19:00, në mbarë Francën ishin regjistruar 360 arrestime.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, kishte njoftuar më herët angazhimin e rreth 70.000 forcave të sigurisë, si dhe përdorimin e automjeteve të blinduara dhe topave të ujit, duke paralajmëruar se ndaj protestuesve të dhunshëm dhe plaçkitësve do të veprohej me ashpërsi.

Kryeministri Sébastien Le Corneille synon të zhvillojë të hënën një konferencë sociale me përfaqësuesit e sindikatave dhe punëdhënësve për të diskutuar pagat dhe fuqinë blerëse. Gjithashtu, janë planifikuar bisedime të veçanta me organizatat studentore.

“Fakti që negociatat nisin të hënën nuk do të thotë se mobilizimi duhet të ndalet”, tha Vincent Gautron nga sindikata CGT. Sindikatat e arsimit kanë bërë thirrje për një ditë tjetër grevash dhe protestash të martën, ndërsa tetë sindikatat më të mëdha në vend pritet të vendosin për hapat e mëtejshëm gjatë një takimi të hënën në mbrëmje.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume