Për vite të tëra, politikanët në Uashington e kanë parë Azinë kryesisht përmes prizmit të Tajvanit, Detit të Kinës Jugore dhe rritjes së fuqisë ushtarake të Kinës. Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia vetëm sa e ka përforcuar këtë këndvështrim, duke e konsoliduar Evropën dhe Azinë Lindore si arenat kryesore të konkurrencës gjeopolitike.

Por, ekspertët e sigurisë në Azinë Juglindore po argumentojnë gjithnjë e më shumë se një krizë tjetër, mijëra kilometra larg, në Lindjen e Mesme, mund ta riformësojë balancën rajonale të fuqisë, shumë më shumë sesa Ukraina apo Tajvani.

Rëndësia strategjike e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës së botës, është bërë e pamundur që të injorohet nga qeveritë në mbarë Azinë Juglindore.

Teksa tensionet, që përfshijnë Iranin, kërcënojnë një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, analistët thonë se pasojat tashmë po ndryshojnë llogaritjet rajonale për sigurinë, diplomacinë dhe aleancat.

“Ne tashmë po shohim se ASEAN-i [Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore] po afrohet me Rusinë, jo në aspektin e sigurisë, por për shkak të varësisë nga energjia”, tha për Radion Evropa e Lirë Lester Joseph Buitizon, analist i inteligjencës për kërcënimet në Aldebaran Threat Consultants, me seli në Manila. Puna e tij përqendrohet në sigurinë ndërkombëtare dhe politikën në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Operacionet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit gjatë ditëve të fundit kanë rikthyer vëmendjen te Ngushtica e Hormuzit.

Irani pretendon se ka kontroll mbi këtë rrugë strategjike të transitit, teksa SHBA-ja thotë se ka kryer sulme ajrore ndaj objektivave në jug të Iranit “për të dobësuar më shumë kapacitetet ushtarake iraniane që përdoren për sulme ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit”.

Pavarësisht pranisë së madhe ushtarake të SHBA-së, kompanitë e transportit detar vazhdojnë të hezitojnë të kalojnë përmes ngushticës, duke nxjerrë në pah një realitet që shkon përtej fuqisë detare: sfida më e madhe mund të jetë rikthimi i besimit tek operatorët komercialë.

Transporti i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit ka rëndësi jetike për Azinë Juglindore, pasi rajoni vazhdon të jetë shumë i varur nga energjia që vjen nga Lindja e Mesme.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume