Ambasadori Denion Meidani: Fatmir Limani është gjithmonë i mirëseardhur në Shqipëri, urat ndërtohen nga njerëzit, jo nga retorika
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka ndarë momente nga pjesëmarrja në një aktivitet rinor, ku ishte së bashku me ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë të Maqedonisë së Veriut, Fatmir Limanin, ministren e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Ogerta Manastirliun, si dhe zëvendësministren Vilma Premti.
Në një postim në rrjetet sociale, Meidani theksoi se aktiviteti mblodhi studentë nga të dy anët e kufirit, duke e cilësuar atë si një dëshmi të bashkëpunimit dhe miqësisë mes të rinjve.
“Fjalën time e nisa duke i thënë mikut tim, Fatmir Limani: ‘Mirë se erdhe në Shqipëri! Këtu je gjithmonë i mirëseardhur!’ Njëkohësisht e falënderova atë, si edhe familjen e tij patriotike, për kontributin e rëndësishëm dhe të sinqertë që kanë dhënë ndër vite”, shkroi ambasadori.
Meidani nënvizoi se, pavarësisht zhurmave që krijohen herë pas here nga individë të caktuar, të rinjtë vazhdojnë të japin shembullin më të mirë përmes dialogut, miqësisë dhe bashkëpunimit, të cilat, sipas tij, janë më të forta se ndasitë artificiale.
Ai shtoi se bashkëpunimi institucional dhe miqësia mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojnë të forcohen, përtej çdo përpjekjeje për përçarje.
Në fund, ambasadori falënderoi ministren Ogerta Manastirliu, zëvendësministren Vilma Premti, si dhe Sara Boden dhe Agjencinë Kombëtare të Rinisë për bashkëorganizimin e kampit, duke vlerësuar angazhimin e tyre në krijimin e hapësirave ku të rinjtë njihen, bashkëpunojnë dhe ndërtojnë miqësi të qëndrueshme.
“Urat ndërtohen nga njerëzit, jo nga retorika”, përfundoi Meidani.




