BDI ka reaguar përmes një kumtese që bënë thirrje për hetim ndaj emërimit të fundit në RTM, në pozitën e zëvëndësdrejtorit të një kandidatit që sipas BDI-së i njëjti para një muaji nuk i ka plotësuar kushtet çfarë ndodhi që sot i plotësoi.

Reagimi i plotë:

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër vendimin skandaloz të Këshillit Programor të Radio Televizionit të Maqedonisë për emërimin e zëvendësdrejtorit, në kundërshtim flagrant me ligjet dhe çdo standard profesional.
Ky nuk është vetëm një gabim procedural – është një akt i pastër kapjeje politike të një institucioni publik që financohet nga të gjithë qytetarët. Emërimi i një personi që nuk i plotëson kushtet elementare ligjore për përvojë pune dhe menaxheriale përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjeve në fuqi dhe degradim të rëndë të profesionalizmit në media publike.
Ligji i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audivizuele dhe Ligji për Nëpunës Administrativ janë të qartë: përvoja e punës llogaritet vetëm pas përfundimit të arsimit përkatës dhe në pozicione që kërkojnë atë nivel arsimor. Po aq e qartë është edhe kërkesa për minimum tetë vite përvojë profesionale dhe katër vite në pozitë udhëheqëse. Në këtë rast, këto kushte janë injoruar në mënyrë të qëllimshme.
Zëvendësdrejtori i emëruar nga anëtarët e VMRO-DPMNE dhe VLEN në Këshillin Programor provimin e parë në arsimin e lartë e ka dhënë në vitin 2020, ndërsa ka diplomuar katër vite më pas, në 2024. Përvojë pune me më shumë vite, drejtori i emëruar ka në tregti me tekstil, ndërkohë që as edhe një ditë punë në gazetari.
BDI vlerëson se ky vendim përbën precedent të rrezikshëm dhe sinjal alarmi për politizimin e plotë të mediave publike. RTVM po shndërrohet në vegël partiake, duke humbur funksionin e saj si shërbim publik i pavarur.
Pyetja që kërkon përgjigje urgjente është: Si mundet që një kandidat para një muaji të mos i plotësonte kushtet me çka edhe u anulua konkursi, sot i njëjti person t’i plotësojë kushtet?
Kërkojmë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që menjëherë të hapë procedurë dhe të anulojë këtë emërim të paligjshëm. Njëkohësisht, i bëjmë thirrje Prokurorisë që të veprojë pa vonesë për të hetuar përgjegjësinë penale të anëtarëve të Këshillit Programor.
U bëjmë thirrje edhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Këshillit të Etikës në Media dhe faktorëve ndërkombëtarë që të reagojnë fuqishëm ndaj këtij politizimi të hapur.
Kapja e institucioneve nuk do të kalojë pa përgjegjësi. RTVM nuk është pronë e asnjë partie – është e qytetarëve.