Interkonektori i gazsjellësit me Greqinë po hyn në një fazë dukshëm më intensive të
realizimit. Pas koordinimit intensiv ndërmjet Ministrisë së energjisë, minierave dhe
burimeve minerale, NOMAGAS-it dhe operatorit grek DESFA, dinamika e ndërtimit
është përshpejtuar, ndërsa projekti tashmë shënon përparim të dukshëm në terren.
Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, së bashku
me përfaqësues të Ministrisë, DESFA-s dhe NOMAGAS-it, kreu inspektim të aktiviteteve
ndërtimore në trasenë e interkonektorit të gazsjellësit me Greqinë. Gjatë vizitës, ata u
informuan nga kontraktuesi për ecurinë e projektit, si dhe se janë krijuar kushte për
përshpejtim të konsiderueshëm të ndërtimit.
Aktualisht janë përfunduar 95 për qind e procedurave të shpronësimit, janë pastruar
rreth 85 për qind e trasesë, ndërsa ka përfunduar edhe prodhimi i të gjitha tubave të
parashikuar për projektin. Deri tani janë dorëzuar tuba me gjatësi prej 34 kilometrash,
nga të cilët 21 kilometra tashmë janë shpërndarë përgjatë trasesë. Është kryer saldimi i
13,7 kilometrave të tubacionit, janë realizuar më shumë se 800 saldime të suksesshme,
ndërsa mbi 6300 metra tub janë vendosur tashmë në tokë. Paralelisht, kanë përfunduar
gjashtë nga shtatë kalimet e planifikuara nën rrugë, si dhe janë siguruar rreth 65 për
qind e objekteve shoqëruese – stacionet bllokuese.
Kontraktuesi është pajisur shtesë me makineri automatike për saldim, gjë që do të
mundësojë përshpejtim të konsiderueshëm të punimeve dhe përmbushjen e dinamikës
së parashikuar.
Vizita në terren vjen pas takimeve të punës që Ministria i zhvilloi me drejtorin ekzekutiv
të NOMAGAS-it, Nedim Rama, dhe drejtoreshën kryesore ekzekutive të DESFA-s,
Maria Sferuca, si dhe me ekipin e DESFA-s, ku u konfirmua angazhimi i përbashkët për
koordinim intensiv dhe realizimin e projektit në përputhje me afatet e përcaktuara. Në të
njëjtën kohë, u konfirmua edhe vlerësimi i përbashkët se interkonektori do të përfundojë
gjatë vitit të ardhshëm.
„ Ky projekt paraqet një investim në sigurinë energjetike, stabilitetin ekonomik dhe
zhvillimin e ardhshëm të shtetit. Prioriteti ynë është që projekti të realizohet në mënyrë
cilësore, në kohë dhe me dinamikë maksimale. Procesi është përshpejtuar dhe të gjitha
institucionet po punojnë të koordinuara për përfundimin me sukses të këtij investimi
strategjik”, theksoi ministrja Bozhinovska.
Interkonektori i gazsjellësit me Greqinë është një nga projektet më të rëndësishme të
infrastrukturës energjetike. Me ndërtimin e tij, shteti do të sigurojë një hyrje të re për
gazin natyror, qasje në më shumë burime furnizimi, diversifikim më të madh dhe nivel
më të lartë të sigurisë energjetike, si dhe lidhje më të fuqishme me infrastrukturën
energjetike rajonale dhe evropiane.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume