Nafie Selmani ka reaguar ndaj një postimi të deputetes së VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, lidhur me deklaratat e bëra në një televizion shqiptar se qeni i ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, dyshohet se ishte helmuar.
Sipas Tetovasot, Selmani shkruan se pas këtyre deklaratave, deputetja Imeri Stafai publikoi në profilin e saj një status ku thuhej: “Si more qenin e paskemi helmu? Qyqja mi gru.”
Në reagimin e saj, Selmani vlerëson se një qëndrim i tillë nuk mund të konsiderohet humor.
“Ky reagim nuk është humor. Është tallje e gërditshme. Është mungesë elementare empatie dhe tregues i një mentaliteti që tallet edhe me një akt të mundshëm dhune ndaj një qenieje të pafajshme”, shkruan ajo.
Siç raporton Tetovasot, Selmani thekson se niveli i qytetërimit të një individi dhe i një shoqërie matet edhe nga mënyra se si trajtohen kafshët, duke shtuar se tallja me një ngjarje të tillë dëshmon mungesë kulture qytetare.
Ajo shprehet se edhe nëse dikush nuk i beson informacionit për helmimin e qenit, reagimi i duhur është kërkimi i së vërtetës dhe jo ironizimi i rastit, veçanërisht kur bëhet fjalë për një person që ushtron funksion publik.
Në fund të reagimit, Selmani u bën thirrje shoqatave për mbrojtjen e kafshëve të reagojnë, duke theksuar se banalizimi i dhunës ndaj kafshëve nuk duhet të normalizohet dhe se funksionarët publikë duhet të japin shembull me gjuhën dhe qëndrimet e tyre, raporton Tetovasot.