Kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale ndaj kritikave që pasuan fjalimin e tij në mbledhjen e Partisë Socialiste, ku u ndal edhe te protesta që po zhvillohet në kryeqytet.
Në reagimin e tij, Rama thotë se ka dëgjuar komente të ndryshme lidhur me deklaratat e tij për atë që e quajti “Bulevardi i Flamingove”, ndërsa thekson se protestuesit përsërisin se nuk duan dialog apo negociata, por vetëm dorëheqjen e tij.
Sipas kryeministrit, ata që protestojnë nuk janë njerëzit me të cilët ai ka lidhur “kontratën politike”.
“Më vijnë në rrugë të ndryshme përmes whatsapit, nga miq a të panjohur, muhabete* sorrash e korbash pas fjalës sime për Bulevardin e Flamingove. Një prej tyre, që e kam dëgjuar edhe me audion origjinale nga poshtë dritares së zyrës, do një koment: Përsërisin që s’duan “dialog”, s’ka “negociata”, s’japin “besë” po duan vetëm dorëheqjen time! Keqkuptim i madh. Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo!“, ka shkruar Rama.
Ai sqaron se fjala e tij kishte të bënte me “mësimet që mora nga flamingot” dhe se u drejtohej atyre, ndërsa “puplat e zeza” që mblidhen çdo natë në bulevard i cilëson si “ana e errët e protestës”.
Rama shton se “sorrat dhe korbat” nuk kanë asnjë lidhje me mesazhin e tij për “BESËN” dhe se janë të lirë të vijojnë protestat dhe të kërkojnë dorëheqjen e tij deri në vitin 2029, pasi, sipas tij, liria dhe demokracia vlejnë njësoj për të gjithë
“Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove.
Në atë fjalë sorrat e korbat ishin pjesë, sepse janë ana e errët e protestës, po jo se kanë pjesë në ato mësime apo në detyrimet e nxjerra prej atyre mësimeve.
Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN sepse BESA jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë“, shtoi kreu i qeverisë.
Në përfundim, kryeministri thekson se kontrata e tij me qytetarët nuk varet nga protestuesit, por është një marrëveshje me shqiptarët që i kanë dhënë besimin me votë dhe, sipas tij, përbën gurin e themelit të jetës demokratike në vend.
“Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike”, përfundoi Rama.