Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur marrëveshje për hapjen e Urës Ndërkombëtare “Gordie Howe” më 27 korrik, konfirmoi të premten qeveria kanadeze. Ura, e cila pritet të forcojë zinxhirët e furnizimit në Amerikën e Veriut dhe të përmirësojë qarkullimin e mallrave, ka marrë gjithashtu mbështetjen e administratës amerikane.
Në kuadër të marrëveshjes, Kanadaja dhe SHBA-ja kanë harmonizuar masat për menaxhimin e tarifave rrugore dhe transparencën financiare. Kjo përfshin edhe krijimin e një fondi 15-vjeçar për zhvillim ekonomik, i cili do të financohet nga një pjesë e fitimeve të urës.
Autoriteti i urës Windsor–Detroit do të bashkëpunojë me SHBA-në për përshtatjen e çmimeve të tarifave dhe për miratimin e ndryshimeve të caktuara që nuk lidhen me kushtet e tregut.
“Pas vitesh planifikimi, partneriteti dhe ndërtimi, Ura Ndërkombëtare ‘Gordie Howe’ së shpejti do të hapet. Ajo do të krijojë një lidhje të re për rajonin dhe njëkohësisht do të forcojë një nga korridoret tregtare më të rëndësishme në botë”, deklaroi ministri kanadez i Banimit dhe Infrastrukturës, Gregor Robertson.
Edhe guvernatorja e shtetit amerikan të Miçiganit, Gretchen Whitmer, e përshëndeti marrëveshjen, duke theksuar se mijëra punëtorë nga Miçigani morën pjesë në ndërtimin e urës, e cila pritet të përshpejtojë prodhimin e automjeteve, të ulë kostot e transportit dhe të krijojë vende të reja pune.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi marrëveshjen si “shumë më të mirë për Amerikën”, duke theksuar se ura do të hapet sipas planit më 27 korrik.
Ura Ndërkombëtare “Gordie Howe” lidh qytetin Windsor me Detroit dhe konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në Amerikën e Veriut.
Sipas autoriteteve kanadeze, përmes korridorit Windsor–Detroit çdo ditë kalojnë mallra me vlerë prej qindra milionë dollarësh, duke e bërë atë pikën kufitare tokësore ndërkombëtare më të ngarkuar në Amerikën e Veriut.
Sipas marrëveshjes së vitit 2012 mes Kanadasë dhe Miçiganit, Kanadaja financoi tërësisht ndërtimin e urës dhe do të mbledhë të ardhurat nga tarifat rrugore derisa të rikuperojë investimin e saj. Pas kësaj, shteti i Miçiganit do të ketë të drejtën e 50 për qind të fitimit neto nga funksionimi i urës.