Shkup, 15.07.2026 Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, shënoi sot fillimin e punimeve për projektin kapital të rregullimit të shtratit të Lumit të Thatë në Komunën e Sarajit, për të cilin Ministria e Mjedisit ka siguruar 376 milionë denarë.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi si dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Ministri Hoxha vuri në dukje se rregullimi i këtij aksi me gjatësi prej pothuajse 12 kilometrash, nga rruga për në fshatin Bojanë e deri në derdhjen në lumin Treskë pranë fshatit Glumovë – i jep zgjidhje të përhershme një problemi dhjetëravjeçar për mijëra qytetarë.
Ky projekt do të mbrojë drejtpërdrejt vendbanimet dhe tokën bujqësore nga vërshimet, si dhe do të eliminojë rrezikun nga infeksionet e ndryshme gjatë periudhës së verës.
„Ky investim është pjesë e ofensivës sonë të madhe infrastrukturore që po realizojmë në mbarë vendin. Me çdo projekt të ri, me çdo shtrat lumi të pastruar, me çdo rrjet të ri komunal dhe stacion pastrimi, ne po hedhim themele të forta për një kthesë të vërtetë të gjelbër në vendin tonë“, porosit Hoxha.
Punimet ndërtimore në terren tashmë kanë filluar. Realizimi i këtij projekti është paraparë si një investim shumëvjeçar i Ministrisë dhe do të implementohet në periudhën nga viti 2026 deri në vitin 2029.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume