Nëpunës policorë të SPB Shkup i kanë privuar nga liria M.V. (65) dhe bashkëshorten e tij S.V. (59), të dy nga Shkupi, për shkak të bazave të dyshimit se me datë 21.03.2024, në një parking në lagjen Autokomandë të Shkupit, M.V. e ka vrarë A.T., ndërsa S.V. e ka ndihmuar duke i fshehur gjurmët. Pas masave dhe veprimeve të ndërmarra nga nëpunësit policorë, ndërsa në bazë të disa urdhrave të dhëna të prokurorit publik, janë siguruar prova dhe është ngritur kallëzim penal ndaj M.V. për veprën penale “vrasje”, sipas nenit 123, paragrafi 1 i Kodit Penal, ndërsa ndaj S.V. për veprën penale ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale.
E dyshuara, S.V. ishte marrë vesh me A.T. që të takoheshin në parkingun e lagjes Autokomandë dhe kishte hyrë në automobilin e tij, e pas një kohe të shkurtër kishte mbërritur edhe M.V., i cili e kishte nxjerrë A.T. nga automobili dhe me thikë i kishte shkaktuar nëntë plagë nga shpimi, nga të cilat A.T. kishte ndërruar jetë. Bashkëshortët së bashku e kishin futur trupin e viktimës në automobil, pas çka M.V. e kishte drejtuar makinën deri te parkingu i Poliklinikës -Zhelezarë, ku e kishte vënë të ndjerin në ulësen e shoferit. E dyshuara i kishte fshirë gjurmët në automobil me një mjet pastrimi, pas çka të dy ishin larguar nga vendi i ngjarjes. IS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume