Kreu i Komunës Bilall Kasami komenton vendimin e mundshëm në këshillin e komunës rreth emrave të rrugëve, të propozuar nga BDI-ja. Ai topin e hedh tek këshilltarët.
“Nëse shumica e këshilltarëve vlerësojnë që këtë absurd të BDI-së ta bëjnë realitet dhe votojnë atë listë ashtu të propozuar, rreziku është që me automatizëm këshilli të shkoj në rizgjedhje sepse, në atë listë janë të gjithë emrat e rrugëve të cilat janë rrëzuar njëherë nga Gjykata Kushtetuese shkaku i procedurës dhe sërish propozimi i BDI-së shkel po të njëjtën procedurë shkaku i të cilës ka rënë lista e parë”, u shpreh Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Pas rrëzimit të vendimit të vitit 2007 nga ana e Gjykatës Kushtetuese, opozita në këshillin e komunës së Tetovës, ka dalë me kërkesë për rivotimin e emrave vendimi për të cilat u shfuqizua nga kushtetuesja. Në propozim janë shtuar edhe disa emra të rinj. Të shtunën në orën 20:00, pritet të mbahet edhe marshi i dytë protestues, kundër vendimit të Kushtetueses, por në vend që protesta të mbahet para gjykatës Kushtetuese, e njëjta do të mbahet nga Sheshi i Tetovës deri tek komuna.