Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka njoftuar se në prag të firmosjes së marrëveshjes për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, ka vizituar së bashku me bashkëkryetarin e VLEN-it, Izet Mexhiti, dhe nënkryetarin e VLEN-it dhe deputetin, Bekim Qoku, vendin ku, sipas Kasamit, shumë shpejt do të nisin punimet për këtë projekt strategjik, përcjell tetova1

Kasami theksoi se ndërtimi i autostradës do të sjellë përfitime të rëndësishme për ekonominë, biznesin dhe qytetarët e të dy vendeve, duke forcuar lidhjen mes Shkupit dhe Prishtinës.

Ai rikujtoi gjithashtu se pas lehtësimit të qarkullimit kufitar me sistemin “hyrje-hyrje” me një ndalesë në Bllacë, tani po vazhdohet me realizimin e autostradës.

“Në prag të firmosjes së marrëveshjes për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë, me Izet Mexhitin dhe Bekim Qokun e pamë nga afër vendin ku shumë shpejt fillojnë punimet për këtë projekt strategjik që e lidh Shkupin me Prishtinën.

Me ndërtimin e autostradës së plotë, përfiton ekonomia, biznesi dhe qytetarët e të dy vendeve.

Pas lehtësimit të qarkullimit në kufi me sistemin hyrje-hyrje me një ndalesë në Bllacë, tani po e ndërtojmë edhe autostradën.

Koha e fjalëve boshe ka mbaruar. Tani është koha e punës dhe rezultateve!”, ka shkruar Kasami.