Kroacia, e mbështetur nga të paktën katër shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, ka bllokuar sërish përparimin e Serbisë në procesin e integrimit europian, duke kushtëzuar hapjen e kapitujve të rinj me dorëzimin e përgjegjësve për sulmin në Banjskë dhe duke dështuar kështu synimet e Beogradit për të ecur përpara këtë korrik.

Sipas burimeve diplomatike, qëndrimit të prerë të Zagrebit zyrtar i janë bashkuar Holanda, Suedia dhe tri vendet e Baltikut, duke dalë kundër hapjes së Klasterit 3 (konkurrenca dhe rritja gjithëpërfshirëse).

Kroacia ka bërë të qartë se nuk do të japë dritën e gjelbër pa u vendosur para drejtësisë nga autoritetet serbe organizatorët dhe pjesëmarrësit e sulmit të armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.

Ky kusht i fortë i palës kroate përkon plotësisht edhe me qëndrimin zyrtar të Komisionit Evropian. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, pati deklaruar në nëntor të vitit 2025 se zbardhja e plotë e rastit të Banjskës mbetet një detyrim ligjor dhe politik i pashmangshëm për Serbinë.

Përveç kërkesave të Kroacisë, shtetet e tjera refuzuese si Holanda kanë shprehur shqetësime të thella për ngecjen e sundimit të ligjit në Serbi. Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se, bazuar në paketën e zgjerimit të vitit 2025, hapja e klasterit të ri në këtë fazë do të ishte në kundërshtim me parimin e meritës dhe performancës së kërkuar.

Një tjetër pengesë madhore për vendet anëtare mbetet refuzimi i vazhdueshëm i Beogradit për të harmonizuar politikën e tij të jashtme me bllokun, specifikisht përmes vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë pas invazionit në Ukrainë.

Serbia mban statusin e vendit kandidat për në BE që nga marsi i vitit 2012. Megjithatë, për shkak të ndjekjes së një politike të jashtme të dyanshme, mungesës së reformave dhe dështimit për të përmirësuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Republikën e Kosovës, shteti serb nuk ka arritur të hapë asnjë kapitull apo klaster të ri negociues që nga viti 2021.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume