Shkruan: Hasan Jashari
Emrat e rrugëve të Tetovës vazhdojnë, herë pas here, të ngrenë tensionet ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve. Së fundmi, kjo çështje u shoqërua edhe me një protestë në Tetovë. Megjithatë, paradoksi është se, në jetën e përditshme, shumica e këtyre emrave ekzistojnë më shumë në debatet politike sesa në realitetin urban.
Pushteti i dy decnjeve i atyre që organizuan protestën e para disa ditëve edhe nëpër fshatrat etnikisht të pastër vendosën tabela me emërtime “Ulica, rruga -101, 102, 103… 118….”
Në qytet mund të gjesh vetëm katër ose pesë rrugë të shënuara me tabela emërtuese, shumica prej tyre të mbetura nga koha e Jugosllavisë dhe e Josip Broz Titos. Qytetarët e dinë emrin e rrugës ku banojnë dhe ai figuron edhe në dokumentet e tyre personale, por në praktikë shumë adresa vazhdojnë të identifikohen pa numër ose me përshkrime orientuese. Koha kur postieri sillte letra nga ushtria apo nga mërgimtarët ka kaluar. Sot institucionet shtetërore – gjykatat, komuna, policia, Telekomi, EVN-ja dhe shërbimet e tjera – përdorin sistemet e tyre elektronike për shpërndarjen e faturave dhe dokumenteve, duke e bërë edhe më pak të dukshme rëndësinë praktike të emrave të rrugëve. Megjithatë, rëndësia e tyre simbolike dhe politike mbetet e madhe.
Shqiptarët dhe “pasardhësit” e luftëtarëve të Titos
Para një jave, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut vendosi të pranojë iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit të Këshillit të Komunës së Tetovës nr. 07-766, të datës 24 prill 2007, dhe ta shfuqizojë atë. Iniciativa ishte paraqitur më 11 shkurt 2025 në emër të Unionit të Luftëtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Tetovës.
Paradoksi qëndron në faktin se organizatat e ish-luftëtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare pothuajse nuk ekzistojnë më askund në Maqedoninë e Veriut, as në nivel qendror e as lokal, për shkak të shuarjes natyrore të brezit të pjesëmarrësve në luftë. Megjithatë, në Tetovë, në emër të tyre vazhdojnë të paraqiten grupe dhe qarqe nacionaliste maqedonase, të cilat, sipas mendimit tim, vazhdojnë të prodhojnë narrativa që nxisin mosbesim dhe armiqësi ndaj gjuhës, kulturës dhe të drejtave të shqiptarëve.
Me vendimin e Këshillit të Komunës së Tetovës të vitit 2007 u ndryshuan emrat e disa prej rrugëve kryesore dhe të sheshit qendror të qytetit. Bulevardi dhe sheshi “Marshall Tito” u riemërtuan në “Iliria”; rruga “JNA” u bë “Dervish Cara”, ndërsa rruga “29 Nëntori” mori emrin “Mehmet Pashë Deralla”. Edhe një numër rrugësh të tjera u emërtuan me figura të historisë dhe kulturës shqiptare. Megjithatë, ky vendim nuk u zbatua plotësisht dhe nuk u përmbyll asnjëherë procedura ligjore përkatëse. Për afro dy dekada, edhe pse BDI ishte pjesë e qeverisë, kjo çështje nuk u trajtua si prioritet institucional. Ajo nuk u bë objekt debati serioz në Kuvend dhe as në opinionin publik nuk mori vëmendjen që meritonte si një çështje e rëndësishme e multikulturalizmit dhe e barazisë së qytetarëve.
Tetova jetoi për gati 19 vjet me një realitet të dyfishtë. Shqiptarët përdornin në komunikimin e përditshëm emrat e rinj, si “Iliria”, Mehmet Derralla …etj, ndërsa në dokumentet zyrtare të lëshuara nga shteti – letërnjoftime, pasaporta dhe dokumente të tjera – vazhdonin të figuronin emërtimet e vjetra: “Marshall Tito”, “JNA”, “Lola Ribar” e të tjera. Pavarësisht se procesi mbeti i papërfunduar, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese përbën një hap prapa në ndërtimin e një shoqërie multietnike dhe shumëkulturore. Ai nuk mori parasysh karakterin e veçantë të Tetovës dhe preku ndjeshmëritë kombëtare të një pjese të madhe të qytetarëve shqiptarë. Komunizmi i ka përjashtuar Shqiptarët, me shpërnguljet e viteve 1950-1966, ata u ndoqën nga qendra e qytetit drejt periferive. Po tani?
Ndërkohë, në hartën e qytetit vazhdojnë të mbeten emra rrugësh të trashëguar nga periudha komuniste dhe jugosllave, si: Boris Kidriç, Lenin, Mosha Pijade, Petar Petroviç Njegosh, Bihaçka, Cetinska, 29 Nëntori, Lola Ribar, Radovan Coniq,Shtipska, Bjelovarska, Probistipska e të tjerë. Zyrtarisht vetëm një rrugë ka emrin e një partizani shqiptar. Nuk kemi asnj në rrugë që quhet Prishtina, Gjakova apo Prizreni. Autori i këtyre reshtave nuk gjeti një listë zyrtare dhe e përditësuar e emërtimeve të rrugëve. Thuhet se emrat janë ndryshuar me vendime komunale, por në praktikë situata mbetet e paqartë. Sipas të dhënave të Komunës së Tetovës, qyteti ka gjithsej 265 rrugë. Prej tyre, 111 kanë emra, 113 identifikohen vetëm me numra, ndërsa 41 nuk kanë asnjë emërtim.
Kujdesi duhet të jetë që të gjithë ta gjejnë vendin e tyre në një qytet të përbashkët. Ne duhet të kemi respekt për partizanët dhe për të gjithë ata që luftuan kundër fashizmit, si edhe për personalitetet që kanë dhënë kontribut në historinë, kulturën, gjuhën dhe zhvillimin e kombit maqedonas. Por, njëkohësisht, edhe maqedonasit duhet të tregojnë respekt për njerëzit e Tetovës dhe, në përgjithësi, për historinë, gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë shqiptare. A është normale që Tetova të ketë vetëm një rrugë me emrin e një partizani shqiptar – Murat Baftjari – emër që figuron edhe zyrtarisht në regjistrin qendror të emrave të rrugëve?
Pyetja që shtrohet për qytetarët maqedonas të Tetovës është kjo: cilët emra u janë më të afërt – Kidriç, Lenin, Mosha Pijade, Lola Ribar apo Njegoshi – apo emrat e shkrimtarëve dhe veprimtarëve shqiptarë si Abdulazis Islami, Murat Isaku, Nexhat Pustina, Mustafa Laçi, Daut Gura, Memet Riza Gega, Tajar Tetova e shumë të tjerë? Apo ndoshta emrat e artistëve, sportistëve dhe veprimtarëve shqiptarë që kanë jetuar në Tetovë, me të cilët kanë qenë shokë shkolle, kolegë pune apo fqinjë?
Në këtë kontekst, kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ndërmori një iniciativë për ndryshimin e emrave të rrugëve të qytetit, të cilat, sipas arsyetimit të komunës, “nuk korrespondonin me realitetin aktual dhe përfaqësonin mbetje të një të kaluare të errët”. Për këtë qëllim u formua një komision, detyra e të cilit ishte të hartonte një listë me propozime për emra të rinj të rrugëve. Gjithashtu, u parashikua organizimi i katër debateve publike, ku qytetarët do të kishin mundësinë të paraqisnin propozimet dhe sugjerimet e tyre.
Bazë e kësaj nisme ishte një material fillestar i hartuar nga akademikët e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut. Materiali shoqërohej me biografitë e një numri të madh shkrimtarësh, studiuesish, veprimtarësh kombëtarë, të përndjekurish politikë, artistësh dhe personalitetesh të tjera që kanë lënë gjurmë në historinë, gjuhën, kulturën dhe jetën shoqërore të shqiptarëve. Qëllimi nuk ishte zëvendësimi i njëanshëm i emrave ekzistues, por krijimi i një ekuilibri që do ta pasqyronte më mirë karakterin historik dhe multikulturor të Tetovës. Ideja ishte se vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet një shoqëri ku të gjithë qytetarët ndihen të përfaqësuar dhe të respektuar. Siç theksonte Jean-Jacques Rousseau, barazia nuk duhet të mbetet vetëm një parim i shpallur, por duhet të jetë e dukshme në jetën publike dhe në institucionet e shtetit. Përndryshe, do të vazhdojmë të flasim për barazinë, ndërsa në praktikë ajo nuk do të ekzistojë.
Përfundim
Problemet me të cilat përballemi sot nuk kanë lindur rastësisht. Ato janë pasojë e mosveprimit institucional, e mungesës së vizionit dhe, shpesh, e mungesës së vullnetit politik për të ndërtuar një shoqëri vërtet të barabartë, por edhe mospunës dhe mosdijes të udhëheqësve shqiptarë. Çdo problem ka shkaqet e veta dhe, pa i adresuar ato, nuk mund të presim zgjidhje të qëndrueshme.
Edhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e nënshkruar pas konfliktit të vitit 2001, megjithëse përbën themelin e rendit të ri politik në vend, ka lënë hapësirë për interpretime dhe mangësi. Në tekstin e saj nuk përmenden shprehimisht emërtimet “shqiptar”, “gjuha shqipe” apo “kombi shqiptar”, ndërsa disa nga parimet themelore të saj nuk u reflektuan plotësisht në Kushtetutë.
Pika 1.3 e “Marrëveshjes përcakton se karakteri shumetnik i shoqërisë duhet të ruhet dhe të shprehet në jetën publike”. Megjithatë, konceptet e multietnicitetit dhe multikulturalizmit nuk janë bërë pjesë e qartë e rendit kushtetues dhe e politikave publike.
Po ashtu, pika 1.5 thekson “se zhvillimi i pushtetit vendor është thelbësor për pjesëmarrjen demokratike të qytetarëve dhe për respektimin e identitetit të bashkësive”. Edhe ky parim, në shumë raste, ka mbetur më tepër një deklaratë politike sesa një realitet i zbatuar në praktikë.
Në fund mbetet një pyetje që kërkon përgjigje nga e gjithë shoqëria: çfarë po bëjnë elitat politike, intelektuale, ekonomike dhe fetare në Maqedoninë e Veriut për të ndërtuar ura mirëkuptimi ndërmjet komuniteteve? Shpesh ato janë të përqendruara në debatet e përditshme politike, në polemikat e rrjeteve sociale dhe në konfliktet mes tyre, ndërsa çështjet strategjike që lidhen me bashkëjetesën, barazinë dhe ndërtimin e një shoqërie demokratike mbeten në plan të dytë.
Tetova, si një nga qytetet më të larmishme të vendit, meriton një politikë të kujtesës që nuk përjashton askënd, por krijon hapësirë për të gjithë. Vetëm kështu emrat e rrugëve nuk do të jenë burim ndarjesh, por ura që lidhin historitë, kulturat dhe qytetarët e saj.
Autori është profesor universitar.