Brenda një dite, Qyteti i Shkupit dy herë e shkeli hapur detyrimin ligjor për përdorimin e gjuhës shqipe. Shkupi është qytet dygjuhësh dhe institucionet e tij kanë obligim të qartë ligjor që shqipja të përdoret në komunikimin zyrtar.

Përballë qytetarëve, përballë reagimit publik dhe përballë ligjit, Qyteti i Shkupit vazhdoi ta injorojë gjuhën shqipe, duke treguar përbuzje ndaj ligjit, ndaj shqiptarëve dhe ndaj karakterit shumetnik të kryeqytetit.

Në këtë situatë, pyetja është e drejtpërdrejtë: ku është Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve?

Ky institucion u krijua pikërisht për të evidentuar shkeljet, për të urdhëruar korrigjimin e tyre dhe për të shqiptuar masa ndaj institucioneve që nuk e zbatojnë ligjin. Për ngritjen e tij janë investuar vite pune, kuadro, trajnime dhe kapacitete institucionale. Sot, një drejtor i emëruar nga VLEN-i e ka paralizuar Inspektoratin dhe po hesht përballë shkeljeve flagrante.

Heshtja e Inspektoratit e inkurajon shkeljen e ligjit dhe e shndërron përjashtimin e gjuhës shqipe në praktikë institucionale.

Kërkojmë:

Dorëheqjen e menjëhershme të drejtorit të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.

Përgjegjësi politike nga VLEN-i, i cili ka kapur dhe bllokuar funksionimin e këtij institucioni.

Veprim të menjëhershëm ligjor ndaj të gjithë përgjegjësve që shkelin Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe nxisin përçarje e urrejtje mbi baza etnike.

Ligji duhet të zbatohet. Inspektorati duhet të veprojë. Përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume