10 korrik 2026, Shkup – Risitë kryesore që sjellin ndryshimet në Ligjin e Lizingut Financiar janë transparenca më e madhe, mbrojtja më e fuqishme ndaj shfrytëzuesve, mbikëqyrja më efikase dhe korniza rregullatore e modernizuar në përputhje me standardet evropiane. Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi janë një nga tetë hapat që Ministria e Financave po zbaton në kuadër të Axhendës reformuese.

Zgjidhjet e reja ligjore lidhen me kushtet për themelimin dhe funksionimin e ofruesve të lizingut financiar, menaxhimin korporativ, mekanizmat e mbikëqyrjes, transparencën në punën dhe mbrojtjen e shfrytëzuesve të lizingut financiar. Rregullat e reja sjellin kontrata më të qarta, mundësi për shlyerjen eë parakohshme pa kosto shtesë, kontroll më të madh mbi punën e kompanive të lizingut dhe standarde më të larta për mbrojtjen e shfrytëzuesve.

Me qëllim të rritjes së transparencës dhe mbrojtjes së shfrytëzuesve, me ndryshimet specifikohen elementët e detyrueshëm që duhet të përmbajë çdo kontratë lizingu financiar, duke përfshirë të gjitha kompensimet që lidhen me lizingun. Përveç kësaj, mundësohet që kontratat e lizingut financiar të lidhen edhe në formë elektronike, nëse kushtet plotësohen në përputhje me dispozitat për dokumentet elektronike, identifikimin elektronik dhe shërbimet konfidenciale, si dhe dispozitat për parandalimin e pastrimit të parave, mbrojtjen e të dhënave personale dhe dispozitat e tjera përkatëse.

Me këto ndryshime vendoset mundësia që shfrytëzuesi i lizingut financiar të shlyejë detyrimet e mbetura plotësisht ose pjesërisht në çdo kohë në përputhje me planin e amortizimit, pa kosto shtesë. Kjo gjithashtu siguron të drejtën për të ulur kostot e përgjithshme për periudhën e mbetur të kontratës.

Përveç kësaj, përforcohet mbrojtja e shfrytëzuesve duke specifikuar se ofruesi i lizingut financiar nuk mund ta shfrytëzojë lëndën e lizingut financiar si kolateral pa pëlqimin paraprak me shkrim të shfrytëzuesit. Pëlqimi duhet të jepet te noteri, në dokument të veçantë – deklaratë, veçmas nga kontrata e lizingut financiar, me kushtet e përgjithshme, me përcaktimin e qartë të pasojave juridike të pëlqimit të tillë.

Ofruesit e lizingut financiar do të jenë të detyruar të publikojnë raportet financiare vjetore, së bashku me raportin dhe mendimin e revizorit të autorizuar, në faqet e tyre të internetit. Në këtë mënyrë, individët dhe personat juridikë si shfrytëzues të lizingut do të kenë mundësinë të kenë pasqyrë më të qartë mbi punën e kompanive të lizingut para se të krijojnë marrëdhënie afariste.

Me ndryshimet gjithashtu përforcohet edhe mbikëqyrja përmes avancimit të dispozitave kundërvajtëse, si dhe stabiliteti financiar i ofruesve të lizingut financiar duke rritur vlerën minimale të principalit bazë nga 6.000.000 në 30.000.000 denarë.

Me qëllim të përforcimit të integritetit të subjekteve që kryejnë lizing financiar, me ndryshimet zbatohen gjithashtu rekomandimet e Komitetit MONEYVAL pranë Këshillit të Evropës në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Me to vendosen kritere për përshtatshmërinë dhe reputacionin që duhet t’i përmbushin themeluesit dhe anëtarët e organeve drejtuese të ofruesve të lizingut financiar.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume