SHKUP – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se masat dhe iniciativat e Qeverisë për zhvillimin e turizmit kanë dhënë rezultate konkrete, duke theksuar se vendi po shënon rritje të ndjeshme të numrit të turistëve të huaj raporton Tetovasot.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për sezonin turistik, Mickoski tha se është regjistruar një rritje e madhe e ardhjeve në aeroportet e vendit, ndërsa sipas tij këtë e konfirmon edhe raporti i fundit “Tourism Watch” i publikuar nga Banka Botërore në qershor të vitit 2026.

Sipas kryeministrit, Maqedonia e Veriut renditet e para në Evropë për rritjen e përqindjes së ardhjeve të turistëve dhe të bujtjeve të vizitorëve të huaj.

“Masat e Qeverisë dhe iniciativat për tërheqjen e turistëve po japin rezultate. Rritja e turistëve të huaj është 40 për qind krahasuar me vitin e kaluar, gjë që për ne është një njohje e madhe”, deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se zhvillimi i turizmit ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit dhe shprehu pritjen që efektet pozitive të reflektohen edhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume