Kuvendi Universitar i Studentëve të Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me “Red Bull”, i organizoi garat kualifikuese në Play Station, lojën EA SPORTS FC 27, në kuadër të turneut “Red Bull Wings Cup”.
Në këtë aktivitet morën pjesë një numër i konsiderueshëm studentësh nga të gjitha fakultetet e Universitetit të Tetovës, të cilët garuan në formatin një kundër një, duke dëshmuar aftësitë e tyre dhe frymën e garës sportive.
Tetë garuesit me rezultatet më të mira do të kualifikohen në Ligën Nacionale, ku do të përballen me garuesit e Ligës së Hapur. Fituesi i “Red Bull Wings Cup” do të shpërblehet me një udhëtim në Majami, SHBA.
Këtë aktivitet e përshëndetën edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, dhe Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Vullnet Ameti, të cilët ishin të pranishëm gjatë zhvillimit të garave. Ata e përgëzuan Kuvendin Universitar të Studentëve për organizimin e këtij turneu, duke vlerësuar rëndësinë e aktiviteteve të tilla në jetën studentore.
Gjithashtu, ata theksuan se organizime të këtij lloji kontribuojnë në forcimin e frymës së bashkëpunimit, miqësisë dhe ndërveprimit mes studentëve, duke krijuar mundësi për përfaqësim jashtë auditorëve universitarë.
Përmes këtij aktiviteti, Kuvendi Universitar i Studentëve, në bashkëpunim me “Red Bull”, synon të nxisë pjesëmarrjen aktive të studentëve në aktivitete rekreative dhe garuese, duke e pasuruar jetën studentore me përvoja të reja dhe dinamike.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume