Një prind nga Negotina e Pollogut është ankuar në redaksinë e TetovaSot se vajza e tij nuk po ndjek mësimin për shkak të mungesës së nxemjes në shkollën fillore të fshatit.

Në lidhje me këtë, gazetari i TetovaSot, Nevrij Ademi, ka kontaktuar drejtoreshën e shkollës, Afërdita Hoda, e cila ka mohuar se mësimi është ndërprerë, duke sqaruar se bëhet fjalë për një defekt në sistemin e nxemjes.

“Ne jemi të furnizuar me naftë, por nga mbrëmë kemi pasur një defekt. Kemi punuar deri në orën 1 të natës për ta rregulluar defektin. Mësim ka, nuk është e vërtetë se nuk mësohet. Sot besoj se do të rregullohet dhe nesër do të ketë nxemje”, tha për TS drejtoresha Hoda.

Ajo bëri të ditur se punimet për riparimin e defektit kanë vazhduar gjatë natës dhe se nxënësit nga nesër pritet të kenë nxemje në shkollë.