Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se çmimi i energjisë elektrike për qytetarët nuk është rritur gjatë mandatit të qeverisë së tij, ndërsa ka bërë të ditur se po punohet për të gjetur një formulë që nga janari i vitit të ardhshëm çmimi i rrymës të ulet informon Tetovasot.
Duke iu përgjigjur akuzave të liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, se vendin e pret një vjeshtë e vështirë energjetike dhe rritje e çmimit të energjisë elektrike, Mickoski tha se opozita vazhdon të përhapë, sipas tij, skenarë të rremë.
Ai rikujtoi se opozita kishte paralajmëruar falimentimin e shtetit në vitet 2024, 2025 dhe tani edhe në vitin 2026, por, sipas tij, këto parashikime nuk janë realizuar.
“Jo vetëm që nuk do të ketë falimentim, por qytetarët do të shohin gjithnjë e më shumë projekte që po realizohen. Prioriteti ynë është përmirësimi i jetës së qytetarëve”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri theksoi se gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së çmimi i energjisë elektrike ishte rritur me rreth një të tretën, ndërsa sipas tij, qeveria aktuale ka arritur ta mbajë të pandryshuar dhe synon uljen e tij nga janari.
“Po përpiqemi të gjejmë një formulë që nga janari çmimi i energjisë elektrike të jetë edhe më i ulët për qytetarët”, u shpreh Mickoski.