Ministria e energjisë po krijon një sistem për sigurinë kibernetike; mbrojtja e institucioneve nënkupton një shtet të qëndrueshëm dhe të sigurt
Në kushtet kur kërcënimet kibernetike po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe më të
shpeshta, Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, në bashkëpunim me
Ambasadën e SHBA-së, po ndërmerr një sërë masash për mbrojtje nga kërcënimet e
mundshme ndaj infrastrukturës energjetike.
Në takimin e sotëm në Ministri, u diskutuan aktivitete konkrete me qëllim krijimin e
Energy CSIRT (Computer Security Incident Response Team – Ekipi për Reagimin ndaj
Incidenteve të Sigurisë Kompjuterike) brenda Ministrisë, si një ekip sektorial për sigurinë
kibernetike në sektorin e energjisë.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Transformimit Digjital, si dhe
përfaqësues të institucioneve nga sektori energjetik: MEPSO, ESM, EVN, NOMAGAS,
MEMO dhe Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime Ujore. Si përfaqësues i
Ambasadës së SHBA-së ishte i pranishëm Kristian Dorshner, si dhe Metodi Hadzhi-
Janev, përfaqësues i CRDF Global, dhe Steven Newton, këshilltar për sigurinë
kibernetike në Ministrinë e Transformimit Digjital.
„Siguria energjetike dhe siguria kibernetike janë të lidhura në mënyrë të pandashme.
Prandaj, krijimi i Energy CSIRT përfaqëson një investim në qëndrueshmërinë, stabilitetin
dhe sigurinë e shtetit. Energy CSIRT përfaqëson një nga shtyllat kryesore për mbrojtjen
e infrastrukturës kritike në sektorin energjetik. Si përgjigje ndaj sfidave në hapësirën
kibernetike, të cilat gjithnjë e më shpesh drejtohen veçanërisht ndaj sistemeve
energjetike, është e domosdoshme të ndërtojmë një mekanizëm që do të mundësojë
zbulimin në kohë, reagimin e koordinuar dhe shkëmbimin efikas të informacionit për
incidentet kibernetike”, u theksua në takimin e sotëm.
Si nën-degë e CSIRT-it qeveritar, Energy CSIRT do të koordinojë reagimin ndaj
incidenteve kibernetike, do të kryejë analizën e kërcënimeve dhe do të forcojë
qëndrueshmërinë kibernetike të infrastrukturës kritike energjetike.
Në takimin e sotëm u theksua se Energy CSIRT nuk duhet të shihet vetëm si një
strukturë teknike, por si një platformë bashkëpunimi ndërmjet të gjithë aktorëve
relevantë – operatorëve të infrastrukturës kritike, institucioneve shtetërore, organeve
rregullatore dhe partnerëve ndërkombëtarë. Përveç krijimit të Energy CSIRT, është
parashikuar edhe themelimi i një Qendre të specializuar OT për trajnime, e cila do t’i
kushtohet zhvillimit të kapaciteteve njerëzore në fushën e teknologjive operative dhe
sistemeve të kontrollit industrial.
Qëllimi është të krijohet një platformë për reagim të koordinuar ndaj incidenteve
kibernetike, shkëmbim të informacionit për kërcënimet dhe dobësitë, mbështetje në
menaxhimin e incidenteve, zhvillim të standardeve dhe praktikave të mira, si dhe
organizim të ushtrimeve dhe testim të gatishmërisë së institucioneve.
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale do të vazhdojë me praktikën e
ndjekjes së trendeve botërore dhe praktikave më të mira, me qëllim krijimin e një sistemi
të qëndrueshëm dhe efikas për sigurinë kibernetike në sektorin energjetik.



