Misteri rreth vdekjes së ish-deputetes britanike Ann Widdecombe, lirohet 26-vjeçari i arrestuar si autor i dyshuar
Autoritetet britanike po hetojnë vdekjen e Ann Widdecombe, 78 vjeçe, një prej figurave më të njohura të së djathtës britanike, ish-deputete konservatore dhe më vonë pjesë e Brexit Reform UK të Nigel Farage.
Policia njoftoi se kishte arrestuar një 26-vjeçar britanik në lidhje me ngjarjen, por ai u lirua të shtunën në mëngjes pasi hetuesit konfirmuan se nuk konsiderohet më i përfshirë në çështje.
Trupi i Widdecombe u gjet në banesën e saj në zonën rurale të Haytor Vale, në qarkun Devon, me plagë të shumta. Policia e Devon dhe Cornwall ka konfirmuar se bëhet fjalë për një vrasje dhe ka nisur një hetim penal për zbardhjen e rrethanave të krimit.
Sipas autoriteteve, deri tani nuk ka prova që ngjarja të ketë motive politike apo terroriste. Megjithëse njësitë kundër terrorizmit u konsultuan fillimisht për arsye paraprake, hetuesit kanë përjashtuar për momentin këtë pistë.
Detektivja Ilona Rosson e cilësoi ngjarjen si “jashtëzakonisht tragjike” për familjarët dhe miqtë e viktimës, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që kanë parë lëvizje të dyshimta ose disponojnë pamje nga kamerat e sigurisë apo kamerat e automjeteve të ndihmojnë hetimin.
Vdekja e Widdecombe ka shkaktuar reagime të forta në skenën politike britanike. Liderja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, si dhe ministrja e Brendshme në qeverinë laburiste, Shabana Mahmood, shprehën tronditjen për ngjarjen dhe u kërkuan qytetarëve të shmangin spekulimet derisa hetimet të përfundojnë.
Edhe lideri i Reform UK, Nigel Farage, publikoi një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke e cilësuar Widdecombe si “një grua të jashtëzakonshme, me parime të forta”, që “ia kushtoi jetën shërbimit publik dhe idealeve të saj”. Ai shtoi se Britania dhe partia e tij janë “shumë më të varfra pa të”.
E lindur në Bath në vitin 1947, Ann Widdecombe ishte deputete e Partisë Konservatore nga viti 1987 deri në 2010 dhe mbajti poste qeveritare gjatë mandatit të kryeministrit John Major.
Pas largimit nga politika aktive, ajo iu përkushtua shkrimit dhe u bë një figurë e njohur televizive, duke marrë pjesë edhe në spektaklin “Strictly Come Dancing”, versioni britanik i “Dancing with the Stars”.
Pas referendumit të Brexit-it në vitin 2016, ajo iu rikthye politikës si eurodeputete e Brexit Party në vitet 2019-2020, përpara se t’i bashkohej Reform UK, ku ishte përgjegjëse për çështjet e drejtësisë dhe emigracionit.
Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë me ritme intensive, ndërsa banesa e viktimës mbetet e rrethuar nga forcat e rendit për grumbullimin e provave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.