Në ambientet e Universitetit të Tetovës, sot u zhvillua me sukses turneu i shahut i organizuar nga Sindikata e të Punësuarve në Universitetin e Tetovës. Në këtë aktivitet morën pjesë 20 garues nga radhët e të punësuarve dhe studentëve, të cilët konkurruan në një atmosferë sportive, miqësore dhe me frymë të lartë fair-play.

Turneu u zhvillua sipas sistemit zviceran të garimit, në shtatë xhiro, duke sjellë përballje interesante dhe një nivel të lartë rivaliteti mes pjesëmarrësve. Pas përfundimit të të gjitha xhirove, fitues i turneut u shpall z. Qebir Xheladini, i cili me paraqitjen e tij të shkëlqyer siguroi vendin e parë. Vendin e dytë e zuri z. Jasin Saiti, ndërsa vendi i tretë i takoi z. Altin Abduramanit, të cilët gjithashtu zhvilluan një garë të denjë dhe dëshmuan nivel të lartë loje gjatë gjithë turneut.

Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë çmime të veçanta për tre fituesit, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit u nderuan me mirënjohje, në shenjë vlerësimi për angazhimin, pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në realizimin me sukses të këtij aktiviteti sportiv.

Çmimet dhe mirënjohjet u ndanë nga këshilli organizues i turneut, i përbërë nga z. Florian Nesimi, Prof. Dr. Shefket Dehari, z. Ali Salihi dhe z. Ramadan Osmani, të cilët i falënderuan të gjithë garuesit për pjesëmarrjen dhe frymën sportive që e karakterizoi këtë aktivitet.

Drejtuesit e Universitetit të Tetovës, në krye me Rektorin Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i përgëzuan organizatorët për realizimin e suksesshëm të turneut, duke theksuar se aktivitete të tilla kontribuojnë në forcimin e jetës universitare dhe krijimin e një mjedisi bashkëpunues ndërmjet stafit dhe studentëve.

Ata vlerësuan se përmes lojës së shahut promovohen jo vetëm aftësitë strategjike dhe analitike, por edhe vlerat e bashkëpunimit, respektit të ndërsjellë, disiplinës dhe frymës së garës së ndershme. Njëkohësisht, ata theksuan se organizime të këtilla shërbejnë si nisma të rëndësishme për promovimin e kulturës sportive dhe intelektuale brenda Universitetit të Tetovës, duke e shndërruar shahun në një urë komunikimi, bashkëpunimi dhe afrimi mes anëtarëve të komunitetit universitar.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume