​Në Gjykatën Themelore në Kumanovë ka nisur procesi gjyqësor ndaj 25-vjeçarit Trajko Bojkovski nga Staro Nagoriçani, i akuzuar për një seri veprash të rënda penale, duke përfshirë pesë vrasje dhe dy tentativa për vrasje.

​I akuzuari u shoqërua në sallën e gjyqit nga punonjësit e policisë me pranga në duar. Ndërsa mediat po xhironin mbërritjen e tij, Bojkovski lëkundej në karrige dhe shikonte drejt tavanit, pa reaguar ndaj pranisë së publikut.

​Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka ngritur më parë aktakuzë ndaj tij, duke e ngarkuar për një vepër penale të vrasjes dhe disa vepra penale të të njëjtit formë të kualifikuar, si dhe për dy tentativa për vrasje. Sipas aktakuzës, duke qenë se ai ka privuar nga jeta me paramendim disa persona, rrezikon një dënim me burg prej të paktën dhjetë vjetësh ose me burgim të përjetshëm.

​Prokuroria bën me dije se, sipas ekspertizave të kryera gjatë hetimit, ai i ka kryer veprat nga motive të tjera të ulëta, përkatësisht me qëllim të kënaqjes së pasioneve të tij seksuale mbi trupat e pajetë të grave.

​Sipas aktakuzës, vrasja e parë është kryer natën mes 5 dhe 6 janarit të vitit 2025 në fshatin Kleçovcë, ku i akuzuari ka privuar nga jeta një grua të moshuar dhe të pafuqishme në shtëpinë e saj. Në periudhën mes 5 dhe 7 qershorit të vitit 2025, në fshatin Dragomancë, në mënyrë të ngjashme ka privuar nga jeta edhe një grua tjetër.
​Prokuroria e ngarkon atë edhe për faktin se më 22 korrik të vitit 2025, në fshatin Çellopek, ka tentuar të vrasë një grua, por është arratisur pasi ajo ka filluar të thërrasë djalin e saj.

​Në aktakuzë thuhet se mes datave 17 dhe 18 janar të vitit 2026, në Nagoriçan të Vjetër, ai ka vrarë një grua tjetër, ndërsa mes datave 5 dhe 6 shkurt të vitit 2026, në Çellopek, ka privuar nga jeta edhe një grua tjetër të moshuar dhe të pafuqishme.
​Rasti i fundit, sipas Prokurorisë, daton më 9 shkurt të vitit 2026, kur në Çellopek ka tentuar sërish të privojë nga jeta një grua, por ka hequr dorë dhe është arratisur pasi ka dëgjuar një zhurmë.